16 milionë euro më shumë tatim mbi të ardhurat – Nga 1 Prilli ndryshon formula. Sa do ti kushtojë buxhetit?

Qytetarët kanë paguar 65.5 milionë euro tatim mbi të ardhurat e tyre vetëm në dy muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 8.4 miliardë lekë, 1.9 miliardë lekë ose 28.7% më shumë se 2 mujori 2021, si dhe 404 milionë ose 5.1% më shumë se plani i 2 mujorit 2022.

Shkak duket se është bërë rigjallërimi i jetës ekonomike dhe tregut të punës përgjatë vitit 2021 dhe vijueshmërisë gjatë kësaj periudhe çka ka prodhuar më shumë të ardhura në buxhet, por performanca me sa duket ka qenë edhe si rrjedhojë e ndryshimit të formulës së taksimit për të dypunësuarit.  Deri më tani tatimi i aplikuar mbi pagat ka qenë nga 0-30 mijë lekë, zero lekë, nga 30-150 mijë lekë 13 % të shumës mbi 30 mijë lekë, dhe nga 150 mijë lekë në muaj, të punësuarit paguanin 23 % të shumë mbi këtë prag.

Regjim ky i cili do të ndryshojë nga data 1 Prill, ku pagat deri në 40 mijë lekë do të kenë zero tatim, ndërsa do të aplikohet reduktim i normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj. Këta tatimpagues do paguajnë 0% tatim deri në shumën 30,000 lekë të ardhura mujore nga paga, dhe mbi këtë shumë do paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13%.

Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muajt. Numri total i tatimpaguesve që përfitojnë nga ulja e barrës tatimore, është 135.400 individë dhe nga aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej -1.37 miliardë lekë në vit.