2021, bie tregu sekondar i letrave me vlerë – AMF: Janar–shtator, transaksionet u tkurrën me 11 milionë dollarë, krahasuar me 2020

Autoriteti i Mbikëqyrjes financiare ka publikuar të dhënat e tregut sekondar të titujve të Qeverisë për periudhën janar-shtator 2021, ku është shënuar një tkurrje e transaksioneve prej 1.1 miliardë lekësh, afërisht 11 milionë dollarë.

Sipas AMF, Vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë për periudhën janar-shtator 2021, u dominua në masën 66.40% nga transaksione në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 33.60% nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 80.80% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të titujve të Qeverisë për periudhën janar–shtator 2021, flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 52.57% dhe 34.51% kundrejt vëllimit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë, për periudhën janar–shtator 2021 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.02% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar–shtator 2021, ka pasur një ulje prej 657 milionë lekë ose 26.57% krahasuar me periudhën janar– shtator 2020. Numri i transaksioneve i llojit B është ulur në masën 22.80%.

Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar–shtator 2021, ka pasur një ulje prej 465 milionë lekë ose 23.09%, ndërkohë pati gjithashtu ulje në numrin e transaksioneve në masën 5.77%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në totalin e transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku, vihet re një ulje në vlerë absolute me rreth 1,122 milionë lekë, krahasuar me periudhën janar–shtator 2020.