2021, më shumë të ardhura në buxhet – Të ardhurat totale për vitin e kaluar u realizuan në masën 510 miliardë lekë

Më shumë të ardhura janë arkëtuar në buxhetin e shtetit për vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se për të gjithë vitin 2021 të ardhurat totale u realizuan në masën 510 miliardë lekë, ose 101 % të planit vjetor. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 84.5 miliardë lekë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u vlerësuan përkatësisht në masën 444.3 miliardë lekë, 71.2 miliardë ose 19.1% më shumë, krahasuar me planin vjetor, si dhe 26.1 miliardë, ose 6.2% më shumë se plani vjetor.

Përsa i përket shpenzimeve të përgjithshme publike, për vitin 2021 ato arritën në rreth 596.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 94.9 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ të fundit.

Shpenzimet korente janë realizuar në masën 97.5 përqind të planit vjetor, ndërsa shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 88.5 përqind të planit vjetor. Shpenzimet korente për vitin 2021 rezultuan në rreth 461.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me një vit më parë ky zë ka rezultuar 9.4 përqind më i lartë, ose rreth 39.7 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet kapitale për vitin 2021 paraqesin një realizim në masën rreth 98.5 miliardë lekë.

Niveli i deficitit për vitin 2021 rezultoi në rreth 85.8 miliardë lekë, ose rreth 24.8 miliardë lekë më pak se një vit më parë.