206 milionë lekë tender për panelet fotovoltaike – FSHZH: Instalim në godina publike e ndriçim rrugor

Rreth 206 mln lekë është vlera e një tenderi të hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për instalimin e paneleve fotovoltaike në disa godina publike, si dhe ndriçim publik. Sipas dokumenteve të tenderit, ky projekt synon të promovojë dhe nxisë uljen e varësisë nga furnizimi me energji elektrike, ndërkohë që nuk janë specifikuar godinat publike apo rrugët që do të jenë pjesë e tij.

Tenderi, bazohet në vendimin e qeverisë për shpalljen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike, ndërsa promovon gjerësisht potencialin e lartë që ka vendi ynë në drejtim të prodhimit të energjisë nga dielli, si dhe impaktin pozitiv në mjedis, si pasojë e përdorimit të kësaj teknologjie.

Sipas FSHZH, Një investim në panelet fotovoltaike shlyhet për të paktën 6 vite për sisteme rezidenciale dhe 3 deri në 4.5 vite për impiante fotovoltaike biznesi. “Pra, përvec avantazheve të paneleve diellore në Shqipëri, një investim i tillë të siguron energji elektrike me kosto 0”,-shtohet ndër të tjra në dokumente.

Po ashtu, specifikohet se energjia e prodhuar nga ky projekt parashikohet të jetë rreth 2700 MËh/vit. Kjo energji, duke ju referuar çmimit mesatar për vitin 2022 të shitjes së energjisë elektrike në treg të lirë dhe konkretisht në Bursën Hungareze të Energjisë të publikuar në faqen zyrtare të kësaj burse, vlerësohet përafërsisht 770,000 Euro/vit.

Fuqia e instaluar synohet të arrijë të paktën 1.7 MËp dhe të instalohet në një sipërfaqe rreth 10,000 m². Kapaciteti i instaluar do të mundësohet nga instalimi i afërsisht 3,800 moduleve fotovoltaike.