6 pika për t’u vizituar në Berat!

Berati është një ndër ato qytete i cili fsheh një pafundësi thesaresh kulturore të cilat nuk mund të zbulohen me një vizitë pak orëshe, por ama nëse njeh destinacionet, padyshim që do të shuash kureshtjen brenda një kohe të shkurtër, duke shkuar në vendet e duhura. Qyteti që nga viti 2008 u regjistrua në listën e UNESCO-s mes 600 vendeve të ndryshme të botës. Berati u vlerësua si shembull i rrallë i arkitekturës tipike Osmane, dëshmi e jashtëzakonshme e monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës klasike Osmane dhe kulturës Mesjetare. Por çfarë duhet të vizitoni në Berat?

Kalaja

Lagjja brenda mureve të kalasë është ende e banuar. Nëse do të ecni këtu, mos u çudisnni ta gjeni veten në oborrin e dikujt duke menduar se është kishë (rreth 40 kisha mendohet të kenë ekzistuar brenda në kala). Në pranverë dhe verë aroma e kamomilit përhapet në të gjithë lagjen e kalasë. Një piknik nën hijen e pishave dhe me peizazhin e Goricës do të ishte një mënyrë e mirë për t’u shplodhur, pasi të keni ecur në rrugët e pjerrëta me kalldrëm.

Muzeu i Onufrit

Kalaja tradicionalisht ka qenë lagje ortodokse, por shumë pak kisha kanë mundur t’i qëndrojnë kohës. Kisha më e madhe është “Fjetja e Shën-Mërisë”, aty ku është vendosur edhe Muzeu i Onufrit. Daton prej vitit 1797 dhe është ndërtuar mbi themelet ekzistuese të një kishe të shek. X. Veprat e Onufrit janë të ekspozuara këtu.

Muzeu Etnografik

Sapo zbret nga kalaja është Muzeu Etnografik, i vendosur në një shtëpi karakteristike të stilit otoman, ndërtuar në shek. e XVIII. Në katin e parë, ashtu si në një ekspozitë, janë vendosur veshjet tradicionale, mjetet e përdoruara nga argjendarët dhe endësit. Në katin e sipërm ndodhen dhomat e gjumit, kuzhina dhe dhoma e mysafirëve, të sistemuara në stilin tradicional. Ndërsa çardaku zë vendin qendror në banesë. Gjatë stinëve të ngrohta merr funksione të qarta banimi. Duke qenë i hapur dhe me sipërfaqe të madhe, plotëson një pjesë të aktivitetit të jetës shtëpiake. Kjo shihet në qoshet e tij të ngritura më lart dhe të kufizuara me dritare si të jetë mjedis banimi. Qoshku është një element i rëndësishëm i çardakut, është i pajisur me mindere, velenxa e qilima.

Mangalemi

Kompleksi i lagjes Mangalem është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë; është emblema e Beratit. Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”. Lagjia ka filluar të ndërtohet që në shekujt XI -XII dhe ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella.

Gorica

Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjia Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, e lidh me pjesën tjetër të qytetit. Vizitorëve u tërheqin vëmendjen rrugicat intime, me errësirën e tyre duket sikur sfumojnë godinat e lagjes.

Teqja e Helvetive

Ky objekt fetar bektashi, ndodhet në Qendrën Mesjetare dhe është një nga monumentet më të bukura të kultit Bektashi në Shqipëri. Punimi në gur, tavani i dekoruar si dhe pikturat murale janë disa nga vlerat më të rëndësishme që mbart kjo teqe, një destinacion të cilin nuk mund të mos e vizitoni nëse keni shkuar në qytetin e Beratit