Albin Kurti: Të tërhiqen paratë nga Fondi i Pensioneve nuk është zgjidhje

Qeveria e Kosovës e ka thënë fjalën e fundit lidhur me çështjen e ngritur tash e sa muaj për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti). Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se tërheqja e këtyre pareve nuk është zgjidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar kundër tërheqjes së kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), duke thënë se “kjo nuk është zgjidhje”.

Sipas Kurtit, mendim të njëjtë kanë edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Kemi thënë edhe shumë më herët, kur ishim në opozitë edhe tani, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike do ta zbusim krizën. Por, nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve mund ta zgjidhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se, një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Kurti.

Qytetarët e Kosovës së fundmi janë përballur me rritje enorme të çmimeve, si të produkteve ushqimore bazë, ashtu edhe të derivateve e shërbimeve të tjera.

Për t’i ndihmuar qytetarët që ta tejkalojnë më lehtë krizën ekonomike të shkaktuar, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Kurse, kryesuesi i Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale (Trusti), Ruzhdi Morina pati deklaruar ditë më parë se tërheqja e kursimeve nga Fondi i Pensionit është kompetencë e Kuvendit të Kosovës dhe se do të përkrahet secili vendim që sjell ky organ.

“Ne vazhdojmë të mbajmë pozicionin se nuk dëshirojmë që përfshihemi në këto incitiva. Kjo është kompetencë e Kuvendit të Kosovës. Jemi të gatshëm ta zbatojmë secilin vendim që e sjell Kuvendi. Është mirë që për këto iniciativa të diskutohet, por që kjo duhet të jetë mundësia e fundit për t’i ndihmuar qytetarët”, kishte deklaruar Morina gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet.

Ndërsa, drejtori menaxhues i Trustit, Ardian Zalli tha se Fondi është në një situatë të paparashikuar.

“Jemi në një situatë të paparashikuar. Kjo do të varet se çfarë vendimi do të marrim tash e tutje. Nëse e shikojmë performancën e tregjeve, në riskun që e kemi marr kemi performuar mjaftueshëm mirë. Pra, në tre muajt e ardhshëm varet nga këto lëvizjes”.

Propozimi për tërheqjen e parave është mirëpritur nga qytetarët, këtë e dëshmon edhe hulumtimi i fundit i realizuar nga Pyper.

73.1% e qytetarëve të anketuar janë pro vendimit për ti tërhequr deri në 30% të kursimeve pensionale nga Trusti. Po ashtu, në rast se miratohet ky vendim, 79% e tyre janë shprehur të gatshëm që ti tërheqin kursimet e tyre pensionale nga Trusti.

Të pyetur rreth arsyes kryesore se pse do ti tërhiqnin të hollat e tyre nga kursimet pensionale, të anketuarit u përgjigjën si në vijim:

Për ta lehtësuar/përballuar krizën financiare (58.5%). Për ti pasur si kursime që mund ti shpenzoj nëse më duhen (25.3%). Sepse më duhet ti përdori për arsye tjera dhe jo si rezultat i krizës financiare (16.1%)

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti ka njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.