Ardenica: Manastiri që sheh larg në horizont e histori

237 metra mbi nivelin e detit e 8 km larg Lushnjës ndodhen kodrat e Ardenicës, të njohura për Manastirin e famshëm e peizazhet e jashtëzakonshme. Nëse do të vizitoni këtë vend bëhuni gati për një udhëtim që është sa historik e shpirtëror, aq edhe kulturor e fetar. Dyshohet se shumë përpara ndërtimit të Manastirit aty gjendej më parë një tempull pagan kushtuar Artemisës, prej nga do të rridhte dhe emri Ardenicë.

Fillimisht ishte Kisha e Shën Triadhit, ajo që rreth shek. X la gjurmën e parë të krishtërimit në këtë vend. Prania e kapelës së kësaj kishe bëri që po aty të fillonte ndërtimi i Manastirit me kërkesë të perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit në vitin 1282. Në një sipërfaqe që sot zë 2,500 metra katrorë, manastiri u ndërtua e pasurua përgjatë shekujve.