Balluku: Rritja e pagave fillon nga mjekët, ndryshim deri në 77%

Rritja e pagave do të fillojë nga mjekët, të cilët do të përfitojnë deri në 77 % më shumë sesa aktualisht. Ka qenë kjo deklarata e zëvëndëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

“Unë jam shumë e lumtur të jem këtu me ju dhe të flas për lajmin e mirë që e ka dhënë kryeministri Edi Rama para pak ditësh sesi rritja e pagave përmes meritokracisë fillon pikërisht nga ju, nga mjekësia. Ju mjekët e përgjithshëm, mjekët e specialistë, infermierët e keni të qartë sesi do të ndryshoj paga. Vitin e dytë do të kemi një ndryshim rrënjësor dhe pagat do të ndryshojnë me 70-77% të disa prej tyre, krahasuar me vitin 2013”, deklaroi ministrja Balluku.

Gjatë fjalës së saj ministrja Balluku deklaroi se do të ketë një fond të rëndësishëm përsa i përket rehabilitimit të spitalit të Burrelit sipas parametrave të efiçencës së energjisë.

“Spitali i Burrelit do të jetë një autoprodhues i energjisë duke kontribuar kështu në sistemin e energjisë. Ju do të keni mundësinë që të prodhoni enërgji dhe mos të keni probleme me energjinë. Kështu do të ulni kostot e spitalit dhe do të bëheni të pavarur nga ana energjitike. Do të ndryshohen të gjitha dritaret të cilat do të jënë në shërbim të efiçencës së energjisë.

Parashikohet dhe veshja e hidroizolimi i ndërtesës duke e kthyer në kushtet optimale të efiçencës së energjisë. Gjatë këtij procesi do të kemi mundësinë që të ndërhyjmë edhe në sallat operatore duke krijuar mundësinë për ngrohjen dhe ftohjen teknike që ju keni duke bërë kështu dhe ndryshimin e kaldajës në të gjithë spitalin”, u shpreh ministrja Balluku.