Besimi në ekonomi, bizneset dhe qytetarët pesimistë për të ardhmen

Besimi në ekonomi po bie. Këtë tregojnë të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë nga anketat me bizneset dhe konsumatorët, ku në muajin shtator, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u ul me 1.8 pikë, i dyti muaji radhazi me tendencë rënëse.

Shqetësimi në mendjen e të gjithëve duket se është situata ekonomike në vijim. Ndërtimi është sektori që reflektoi uljen më të madhe të besimit, nisur nga ngadalësimi i aktivitetit dhe kontratat më të ulëta porositëse; edhe pse pret një rritje të çmimeve në vijim.

Në rënie të fortë edhe sektori i shërbimeve, që kishte udhëhequr eksportet shqiptare këtë fillim viti, por rënia e kërkesës sërish është faktor që sipërmarrjet në këtë fushë të parashikojnë ulje të shitjeve. Ndërsa industria, rezulton sektori i vetëm që po përfiton nga rimëkëmbja globale e kërkesës, edhe pse prodhimi është në ngadalësim.

Ndërkohë, tregtia, sektori i lidhur drejtpërdrejt me çmimet e rritura të muajve të fundit, rezulton më pozitiv sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nisur nga rritja e shitjeve përgjatë muajve të kaluar. Por edhe ky sektor i druhet një rënieje të konsumit në vijim, pikërisht nga pamundësia e qytetarëve për të përballuar këtë shtrenjtim të nivelit të jetesës.

Për këta të fundit, konsumatorët, pritshmëritë për përmirësimin e gjendjes së tyre financiare dhe gatishmëria për të bërë blerje të mëdha si blerja e një banese, janë faktorët e vetëm që balancojnë situatën e përkeqësuar ekonomike.