Bien eksportet me Europën, por rriten me rajonin – Importet drejt rënies

Teksa Shqipëria regjistroi një rënie të eksporteve për muajin mars, të ndalur në rajon ky indikator shënon lehtësisht vlera pozitive. Tregtia duket se po lulëzon më shumë me Maqedoninë e Veriut teksa eksportet janë rritur në tremujorin e parë të vitit me 47.8%.

Për këtë fillim viti krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022,eksportet Maqedoninë e Veriut arritën në 7.2 miliardë lekë. Më tej Kosova shënon një rritje prej 2% ku në tremujroin e parë të 2022 u tregtuan drejt saj 9.9 miliardë lekë mallra ndërsa në 3 muajtë e parë të 2023, 10.2 miliardë lekë.

Nga ana tjetër importet me Kosovën ranë nga 3.4 miliardë në 2.6 miliardë lekë. Në të njëjtin ritëm edhe me Maqedoninë e Veriut ku vlera e regjistruar ishte nga 3.6 miliardë në  3.37 miliardë lekë.

Të ndalur vetëm në muajin mars këta tregues lehtësisht kanë ndryshuar.

Kategoritë e mallrave që kanë ndikuar pozitivisht tek eksportet kanë qenë ushqime pije duhan, makineri pajisje dhe pjesë këmbimi dhe tekstiel e këpucë. Ndërsa ndjeshëm ka rënë eksporti i materialeve të ndërtimit e mineraleve djegëse por dhe produkteve kimike e plastike.

Me të gjitha shtetet Shqipëria shënoi një rënie si të eksporteve por dhe të importeve për muajin mars. Kështu, në mars të vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke rënë me 11.7%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 81 mld lekë, duke rënë me 3.7%, në krahasim me një vit më parë.