Bjeshkët e Gramës – Perla e Fshehur e Dibrës

Ndërthurja e peizazhit natyror me elementët historikë, socialë e kulturorë e bën zonën e Dibrës mjaft tërheqëse. Këto atraksione gërshëtojnë mjaft bukur natyrën, me ajrin e pastër dhe kuzhinën tradicionale dibrane, të cilën turistët vendas apo të huaj mund ta shijojnë në bujtinat e shumta në këtë zonë malore.

Për të apasionuarit e natyrës dhe pas ecjes, mali i Gramës është një ndër destinacionet që nuk do t’ju zhgënjejë në asnjë moment. Nga ajëri kupton madhështinë e këtyre bjeshkëve, të cilat duket sikur nuk kanë fund, e ku hijë rëndë pranë saj qendron edhe mali i Korabit. Është një ndër rrugët me panoramike e kësaj zone, ku në kontakt me natyrën kupton se këtu çdo gjë është ruajtur me fanatizëm nga banorët e zonës, të cilët në bazë të ligjeve të pashkruar përfshihnin edhe mbrojtjen dhe mos cënimin e pyjeve.

Të konsideruara perlat e Dibrës, bjeshkët e Gramës janë një nga pikat kyçe të Parkut Kombëtar Korab-Koritnik dhe ndodhet në një lartësi prej  2,345 metra. E pozicionuar vetëm 9 km  larg Peshkopisë, Grama është destinacion i magjishëm malor i pasur me  pyjet e pisha të buta,  me liqenin akullnajor, apo edhe me stanet dhe burimet e kristalta ujore. Malet dhe bjeshkët e këtij teritori janë të pasura me bimë mjeksore dhe ku rriten shumë kafshë të egra të rralla si reqebualli ose (tigri i ballkanit), dhia e egër, thëllëza e malit etj. E nëse vizitoni këto bjeshkë do të gjeni edhe shumë stane të cilat jo vetëm do ju ofrojnë ngrohtësinë e mikpritjes shqiptare, por do ju bejnë të shijoni prodhimet e djathit dhe bulmetin cilësor që përdoren shumë nga pushuesit për të marrë energjitë e nevojshme.

Mali i Gramës me bjeshkët e saj është i pasur me shumë monumente natyrore fantastike, nga të cilat përmendim Pasqyrat e Gramës, Karsta e malit të Bardhë, Shllinasi i Vrenjtit, bjeshka e Zonjave, si edhe liqeni i Gramës.

Pasqyrat e Gramës janë një bllok solid me gjatësi 500 mi gjatë dhe 200 m i gjërë, që shndrin si pasqyrë në lartësinë 1900 m. Quhen të tilla pasi në të reflektojnë shumë bukur rrezet e diellit duke të krijuar imazhin e një pasqyre. Të ndodhura në afërsi të fshatit Sllovë ato janë të përbërë nga zhvjeshja gipsore e llojit selen që shkëlqejnë. Këshillohet që këtë guidë ta bënime barinjtë e zonës apo me guidat pasi shtegu nuk është i shënjuar.

Liqeni i Gramës është një tjetër monument mbresëlënës i këtyre bjeshkëve. Ndodhet në masivin e malit të Gramës në lartësinë mbi 2000 m. Ai është liqen akullnajor dhe ka ujë të kristaltë dhe të ftohtë, ku gjatë dimrit sipërfaqja e tij ngrin. Liqeni është i pasur me një botë të gjallë bimore dhe formon një ekosistem interesant të liqeneve alpine.

Duke vijuar me monumentet natyrore ne Gramë, Bjeshka e Zonjave është një tjetër atraksion i cili përbëhet nga një shpatullim i madh akullnajor i formuar në rreshpe, në një lartësi nga 1700 m deri në 2200 m mbi nivelin e detit.  Mendohet se kjo zonë u përkiste motrave dhe gruas së Skënderbeut.

Shllinasi i Vrenjtit është një masiv shkëmbor me përbërje gipsi dhe kripë guri (nga e ka marrë dhe emrin). Ky masiv gjatë deri në 900 metra dhe i gjerë deri në 250 m dhe ndodhet në lartësinë 1200-1500 m.