“Bredhi i Sotirës”, libër i hapur botanik

Zona e Mbrojtur “Bredhi i Sotirës”, Monument Natyre i kategorisë III, në jug të Shqipërisë, është mahnitës në çdo stinë veçanërisht në vjeshtë.

I ndodhur në njësinë Administrative “Dropull i Sipërm”, kjo zonë shtrihet në një sipërfaqe prej 1740 ha dhe konsiderohet si një perlë të natyrës shqiptare, qoftë nga pikëpamja ekoturistike si dhe nga ajo shkencore.

Për të shkuar në “Bredhin e Sotirës” përshkohet rruga nacionale Gjirokastër – Llongo – Sotirë.

“Bredhi i Sotirës” është një libër i hapur botanik, ku në të mund të shikosh të gjitha katet e bimësisë me shtrirje vertikale, që nga shkurret mesdhetare me marenë dhe prrallin, dushqet e ndryshme gështenjën dhe bredhin e Maqedonisë si lloj kryesor dhe deri te kullotat alpine të Stugarës dhe të Murganës.

Terreni ka një larmi formash gjeomorfologjike ku në pjesën e sipërme ka shpate me pjerrësi shumë të madhe dhe shkëmbinj të thepisur, të cilat përbëjnë një peizazh të mrekullueshëm turistik.

“Bredhi i Sotirës” ofron pamje magjepsëse në çdo stinë, gjelbërimin e pranverës, freskinë e verës, kontrastin e ngjyrave të vjeshtës dhe dëbora në dimër që mbulon majat e Murganës dhe Stugarës.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër publikoi disa foto nga “Bredhi i Sotirës”, i mbuluar nga ngjyrat e vjeshtës.