Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet më me shpejtë se parashikimet këtë vit, pas goditjes që mori një vit më parë nga kriza e pandemisë si rrjedhojë e karantinës 3-mujore dhe masave të tjera kufizuese.
Ecuria pozitive e treguesve të ekonomisë në tremujorin e parë dhe përmirësimi i besimit në ekonomi krijojnë premisa për norma më të larta të rritjes ekonomike edhe tremujorin e dytë, thuhet në raportin e Bankës qendrore.
Por, me gjithë parashikimet optimiste, Banka qendrore vlerëson se përhapja e varianteve të reja të virusit mund të rrezikojë ekonominë e vendit, që së bashku me rimëkëmbjen e ngadaltë të konsumit mund të ndikojnë në ecurinë e përgjithshme të ekonomisë në vijim.
Një përkeqësim i situatës nuk përjashton rikthimin e masave kufizuese dhe në kushte të tilla vlerëson banka mund të shtoheshin pasiguritë te konsumatorët që do të detyroheshin të kursenin dhe kanalizonin të ardhurat e tyre vetëm drejt nevojave emergjente.
Në tremujorin e parë aktiviteti ekonomik u përshpejtua ndjeshëm dhe ekonomia u rrit me 5.5% sipas Institutit të Statistikave. Po kaq është norma e rritjes së parashikuar në optikën e qeverisë në fund të këtij vitit mbështetur nga procesi i rindërtimit dhe turizmi, teksa banka qendrore ka parashikuar një rritje prej 5.3%.
Ndërsa më konservatore janë institucionet ndërkombëtare në vlerësimet e tyre për ecurinë e ekonomisë shqiptare që sipas tyre nuk do të tejkalojë 5% rritje.