BSH: Sektori bankar, jo i ekspozuar ndaj krizës – Por, ekonomia do të ngadalësohet, konsumi dhe investimet do të bien!

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikqyrës, Banka e Shqipërisë ka miratuar edhe Raportin e Stabilitetit Financiar, që është një prej dekumenteve më me peshë të institucionit dhe që vjen në mënyrë periodike, çdo 6 muaj. Raporti dhe vlerësimi për sektorin bankar në vendin tonë nga institucioni vjen kësaj radhe në një klimë tjetër, me botën dhe vendin të përfshirë në një krizë çmimesh dhe konsumi, cka kërcënon edhe ekonominë në tërësi.

“Agresioni ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, kanë ashpërsuar më tej problemet globale me zinxhirët e prodhimit dhe ofertën, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës e gazit, të drithërave dhe të metaleve. Projeksionet e reja sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, pra me ngadalësim të rritjes ekonomike”-nënvizon institucioni. Por, pavarësisht kësaj situate sqaron se: “Ekspozimi i drejtpërdrejt i sektorit bankar ndaj vendeve në konfliktin e mësipërm, është i vogël dhe nuk do të ndikojë në treguesit e qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë. Ekspozimi i tërthortë përcaktohet nga ecuria e ekonomisë, qëndrueshmëria makroekonomike dhe performanca e huamarrësve”.

Sa i përket situatës para këtij kërcënimi të ri, Banka e Shqipërisë vlerëson ecurinë e mirë të sektorit bankar gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar. “Veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës”-nënvizon institucioni.