Certifikimi i menaxherëve të energjisë – Eficenca/ Çdo biznes, që është konsumatori i madh energjie duhet t’i punësojë

Agjencia për Eficencën e Energjisë ka vendosur të zgjerojë numrin e menaxherëve të certifikuar të energjisë, të cilët do të shërbejnë pranë bizneseve apo institucioneve publike që karakterizohen si konsumatorë të mëdhenj të energjisë. Interesi për këtë profesion ka qenë i lartë, teksa për t’iu nënshtruar testimit janë regjistruar 271 kandidatë.

Përfaqësues të këtij dikasteri,  thonë se nevojat për këta profesionistë janë të mëdha për tregun e punës, duke qenë se tashmë detyrimet për rritjen e eficencës energjetike kanë hyrë në fuqi. Sipas këtyre ndryshimeve,  konsumatorët e mëdhenj të energjisë ku përfshihen ata që konsumojnë mbi 1 milionë kwh/vit duhet të punësojnë patjetër një menaxher energjie.

Ndërkohë që, brenda dy vjetësh nga marrja e rezultateve të auditimit, duhet të ndërmarrë masat dhe kryejë veprimet e rekomanduara për përmirësimin e eficencës së energjisë. Po ashtu, ata janë të detyruar të dërgojnë pranë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, një raport me të dhëna mbi konsumin e tyre të energjisë për vitin kalendarik paraardhës.