Çmimi i naftës arrin nivele rekord. Përllogaritjet, ja sa lek janë taksa

Çmimi i karburantit ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, teksa të shtunën arriti vlera rekord në tregjet me pakicë, ku një litër varionte nga 230-239 lekë/liter. Ky shtrenjtim ka ardhur si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare, të ndikuar edhe nga lufta Rusi – Ukrainë. Por, ndërkohë     tendenca e rritjes së çmimit ka nisur para disa muajsh, duke qenë se deri në muajin shtator, një litër kushtonte rreth 170 lekë, në tetor shkoi në 177 lekë/litër, nëntor- dhjetor në rreth 185 lekë/liter, ndërsa në fillim të shkurtit varionte nga 190-195 lekë/liter.

Por, përveç rrtijes në tregjet ndërkombëatre, në vendin tonë çmimi lartë rezulton edhe si pasojë e taksave, që janë pjesë e çmimit të naftës. Kështu, për 1 litër naftë paguhet 27 lekë/litër  taksë qarkullimi, 3 lekë/litër, taksë karboni, 37 lekë/litër akcizë dhe 7-10 lekë/litër taksë rilicencimi. Po ashtu, pjesë e çmimit final janë edhe dy taksa për koncesionin e markimit të karburanteve dhe skanimit, me respektivisht 1 dhe 1.4 lekë/litër.

Gjithsesi, në muajin shkurt  ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se qeveria shqiptare nuk parashikon të ndërhyjë në politikat fiskale, çka nënkuton se këto taksa do të vijojnë ntë mbeten në fuqi.