Ecuria e energjisë diellore – Asnjë impiant i ri në vitin 2021, ekzistuesit prodhuan 0.45% të energjisë totale

Të dhënat për prodhimin e energjisë nga dielli mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore, teksa për vitin 2021 sasia e prodhuar nga impinatet fotovoltaike arriti në 0.45% të totalit.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i impanteve që prodhojnë energji nga dielli nuk ka patur ndryshim në raport me një viti më parë, duke mbetur në 11, teksa kapaciteti total i instaluar është 23 MW, duke përfshirë edhe Kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë, që prodhon energji për qëllime autokonsumatore. Shifrat e 12-mujorit tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 40 736 mwh energji. Në raport me një vit më parë, janë prodhuar rreth 8 000 mwh më tepër.

Por, pesha e energjisë diellore në raport me totalin është ulur, pasi për vitin 2020 ishte 0.6% e totalit. Kjo mund të shpjegohet me rritjen e prodhimit nga burimet hidrike, që pësoi rritje të ndjeshme gjatë 2021-in. Megjithatë, ndonëse kjo sasi është tejet e ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrocentralet, ajo merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë.

Kjo pasi, vendi ynë është i varur nga energjia e prodhuar nga uji, çka në periudha thatësirës pasohet me fatura tejet të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore. Ndërkohë që , duke mbajtur parasysh edhe çmimet tejet të larta për sigurimin e  energjisë nga importi, rritja e prodhimit vendas është domosdoshëmri, për sa kohë në vitin 2021 u shpenzua shuma rekord prej 285.5 mln euro.