Emergjenca pezulloi investimet në energji, cilët janë projektet më të mëdhenj të OST dhe OSSH që “penalizohen”

Vendimi i qeverisë për shpalljen e emergjencës  energjetike parashikoi ndërprerjen e  investimeve nga kompanitë publike të energjisë deri në datën 15 prill të vitit që vjen. Ndërkohë që, bazuar në këtë vendim janë një sërë investimesh të planifikuara nga Operatori i Sistemit të Trasmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes që do të duhet të ndërpriten, ndonëse në këtë periudhë të vitit një pjesë e tyre janë në zbatim.

Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2021 me fondet e veta Operatori i Sistemit të Transmetimit kishte planifikuar investime me vlerë rreth 888 mln lekë. Sipas parashikimeve, projekti më i financuar me është ndërtimi i nënstacionit të ri 110/35/20 kV Palasë, si dhe i linjës 110 kV. Vlera e kontratës për këtë projekt është 320 mln lekë, ndërkohë që për vitin 2021 parashikohej të financohej 50% e saj apo 160 mln lekë.

Ndërkohë që, 130 mln lekë do të shkonin për zgjerimin e sistemit  të lokalizimit të defekteve  në linjat  e tensionit  të lartë.  Ndërkaq, sa i takon planit të investimeve të OSSH-së, për vitin 2021 ai kapte vlerën e 1.35 mld lekëve, ndërsa për vitin që vjen, 2.61 mld lekë. Investimi më i financuar për 2021-in, me një vlerë prej 380 mln lekëve është ndërtimi i nënstacionit të ri në Velipojë. Një tjetër investimi i parashikuar ishte edhe ndërtimi i nënstacionit Qendër 110/20kV apo ndërtimi i N/Stacionit 110/35/20 kV 110/35/2  Hoxharë.

Ndërkaq, për vitin që vjen financimi më i madh parashikohej të shkonte për nënstacionin Qendër 110/20kV, me një vlerë prej 1.08 mld lekë.  Në dokumentet e dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë OSSH ka evidentuar si pika kritike humbjet teknike, që lidhen kryesisht me rrjetin tejet të amortizuar,  përfshirë moshën mesatare të nënstacioneve, mbi 40 vjet Por, pavarësisht këtyre nevojave, situata financiare e kompanisë edhe gjatë 2020-ës nuk ka favorizuar aspak investimet e domosdoshme për të përmirësuar humbjet.