Energjia e rinovueshme, 45% e totalit/ Eurostat: Shqipëria e para në rajon, vetëm transporti zhgënjen

Publikimi më i fundit i “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi statistikat e energjisë së rinovueshme, tregon se energjia që vjen nga burimet e rinovueshme është në rritje për vendin tonë. Gjatë vitit 2019, ishte 38% e energjisë që vinte nga burimet e rinovueshme, ndërsa gjatë vitit 2020 ky tregues është rritur në 45%. Në Shqipëri, 99.9% e energjisë elektrike e konsumuar gjatë vitit 2020 është prodhuar nga burime të rinovueshme. Në vitin 2019-të ky tregues ishte pranë 92.9%. Pra në vitin 2020, ky tregues shihet të ketë pësuar rritje me gati 7 pikë përqindje. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për burimet e rinovueshme të energjisë të konsumuara në transport, në vendin tonë vetëm 0.34% e kësaj energjie është e rinovueshme. Nëse do ta krahasonim këtë tregues me vitin 2019-të, të dhënat tregojnë se ka pësuar rritje me rreth 0.1 pikë përqinjde. Po sa përqind e energjisë së konsumuar për ngrohje dhe ftohje është e rinovueshme? Shifrat tregojnë se gjatë vitit 2020, kjo normë fikoshet në 25.1%.

Shqipëria renditet mes vendeve të para të Europës dhe rajonit për nivelin më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e rinovueshme. Në nivel rajoni, Shqipëria renditet e para për nivelin më të lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme. I dyti në rajon renditet Mali i Zi, me 43.7% të energjisë të prodhuar nga këto burime. Serbia është e treta e renditur në nivel rajoni dhe ndiqet nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut, me 25.9%, 24.4% dhe 19.2% përkatësisht.