Energjia mbetet pa investime në vitin 2022 – Pr.buxheti/Akordohen vetëm 100 mln lekë për rehabilitimin e HEC Fierzës

Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës është investimi i vetëm në sektorin energjetik, që do të financohet për vitin 2022 nga buxheti i shtetit. Sipas programit të investimeve publike, të mbërritur në Kuvend për diskutim në Kuvend, për këtë projekt do të shpenzohen në total 100 milion lekë. Financimi do të bëhet nga fonde të huaja, ndërkohë që me fondet e veta qeveria nuk planifikon asnjë investim në sektorin energjetik.

Ndërkohë që, në raport me buxhetin e vitit 2021 mbështetja buxhetore në drejtim të investimeve në sektorin energjetik shënon një rënie të ndjeshme, duke qenë se sivjet ajo kapte vlerën e 250 mln lekëve.

Megjithatë, pavarësisht parashikimeve,  investimet janë të pezulluara edhe aktualisht, përmes vendimit të marrë në datën 8 tetor nga Këshilli i Ministrave për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Ndërkaq, në total mbështetja buxhetore për të gjithë sektorin e  energjinë për vitin 2022 kap vlerën e rreth 3 mld lekëve, duke shënuar një rënie të lehtë në raport me buxhetin e këtij viti, që kapte vlerën e 3.1 mld lekëve.

Shpenzimet kapitale për vitin 2020 planifikohen të arrijnë në 2.98 mld lekë, pjesa më e madhe të cilave e më konkretisht 2.78 mld lekë janë financim i huaj. Ndërkohë që, shpenzimet korrente, arrijnë në 55.5 mln lekë.  Relacioni që shoqëron projektbuxhetin e vitit që vjen në Kuvend jep edhe një panoramë të përgjithshme të sektorit, ku problem më i madh i takon Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që po përballet me shpenzime të larta për blerjen e energjisë.

Sipas relacionit, nga  ana  e  OSHEE  Group  parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard LEK për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard lekë.