FMN pret që Kosova të ketë një rritje ekonomike prej 2.8% për vitin 2022, më e ulëta në 10 vitet e fundit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një projeksion për bruto-produktin vendor pret që Kosova të rritet për vetëm 2.8 për qind këtë vit.

Nga projeksioni i mëhershëm në muajin tetor të vitit 2021, parashihej që rritja të ishte 4.5 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që prodhimi vendor bruto (GDP) i Kosovës të rritet për 2.8 për qind këtë vit, duke e zvogëluar për 1.7 për qind parashikimin e bërë në tetor.

Rritja ekonomike e Kosovës pritet të arrijë në 3.9 për qind vitin e ardhshëm dhe në 3.5 për qind më 2027, tha FMN-ja në edicionin e prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore”, publikuar të martën.

Vitin e kaluar, sipas këtij raporti, prodhimi ekonomik i Kosovës është rritur për 9.5 për qind, sipas raportit.

Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5 për qind më 2022 nga 3.3 për qind, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3 për qind më 2023, tha FMN-ja.

Deficiti aktual tregtar i Kosovës, që ishte 9.1 për qind si përqindje e GDP-së më 2021, parashikohet të bjerë në 8.9 për qind më 2022 para se të zvogëlohet edhe më shumë në 7 për qind më 2023.

FMN-ja pret që GDP-ja e zonës së Evropës në zhvillim, ku përfshihen edhe Rumania, Turqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, të ulet për 2.9 për qind më 2022 para se t’i kthehet një rritjeje prej 1.3 për qind më 2023.

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë të kushtueshme humanitare, e cila kërkon zgjidhje paqësore. Në të njëjtën kohë, dëmi ekonomik nga konflikti do të kontribuojë në një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes globale më 2022 dhe shtim të inflacionit. Çmimet e ushqimit dhe naftës janë rritur shpejt, duke i goditur më së shumti popullsitë e ndjeshme në shtetet me të ardhura të ulëta”, theksoi FMN-ja.

Në raportin  “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të sapopublikuar, FMN parashikon që ekonomia në Shqipëri  do të rritet ketë vit me vetëm 2%.

Për Malin e Zi vlerësimi është 3.8, për Bosnjë Hercegovinën 2.4%, për Kosovën 2.8%. Maqedonia e Veriut pritet të ketë një rritje prej 3.2%. Më pak pritet ta ndiejë luftën Serbia, që vlerësohet se do të zgjerohet me 3.5% këtë vit dhe do të përshpejtohet në 4% vitet në vijim.

“Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social”,  u shpreh kryeministri Albin Kurti më 12 prill, kur kishte vendosur të ndante nga 100 euro për shumë kategori sociale në vend.

Vitin e kaluar, ekonomia e Kosovës ishte rritur për 9.5 për qind sipas raportit, por fatkeqësisht njëjtë kishte ndodhur edhe me rritjen e çmimeve bazike (po 9.5 për qind) sipas FMN-së.

Për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind.