Iballa – Fshati me një Trashëgimi të Pasur Historike dhe Resurse Natyrore

Shqipëria fsheh shumë bukuri natyrore, të cila pozicionohen shumë pranë qendrave të banueshme. I tillë është edhe rasti i fshatit Iballë i pozicionuar në veri-lindje të qytetit të Pukës, i pasur me male të larta që i japin formën e një amfiteatri gjigant natyror.

I shtrirë në formën e një fushë-grope, me lartësi mesatare 750 m mbi nivelin e detit, përmes fshatit kalon një lumë i cili i shton bukurinë peizazhit por edhe ndihmon në ujitjen e tokave bujqësore. Përveç natyrës  ajo që do ju mahnisë edhe më shumë është mikpritja e pashoqë e vendasve.

Ajo për çka njihet ky vend është se konsiderohet nismëtarja e arsimit në Pukë, pasi aty u hap shkolla e parë shqipe në veri, në vitin 1903 nga, Imzot Lazër Mjeda, vëllai i Ndre Mjedës, me mbështetjen Austro-Hungareze. Kjo shkollë e kthyeu zonën në simbol të dijes dhe kulturës kombëtare.

Iballa gjithashtu njihet edhe për bashkëjetësën e besimeve fetare, si edhe për objektet e vjetra të kultit të cilat i kanë rezistuar kohës, siç është edhe kisha e Shën Gjergjit, e cila ka ekzistuar përpara vitit 1703. Me kalimin e vite ajo ka pasur funksione të ndyshme, sot ajo është rikonstruktuar dhe ka marrë tjetër pamje. Të vetmet gjurmë të kalasë së Iballës gjendet sot në kapelën e Shën Sebastianit e njohur ndryshe si Kisha e Thaçit. Kjo kishë ndodhet brenda perimetrit të gjurmëve të Kalasë së Iballës, dhe mbi rrënojat e një kishe shumë të vjetër të periudhës romake e ndërtuar rreth shekullit V. Përveç kishave Iballa njihet edhe për xhaminë më të vjetër në rrethin e Pukës. Ajo ka ekzistuar prej vitit 1670, sot është rikonstruktuar dhe është mbajtur gjallë nën kujdesin e besimtarëve mysliman të fshatit Iballë.

Dhe nëse kaloni në këtë zonë do të njiheni edhe me kullën e vetme me karakoll, ekzemplari i vetëm i cili gjendet në Kokdodë. Madje për këtë kullë të veçantë do të shkruante edhe Edit Durham, duke e konsideruar godinën më të veçantë që ka parë në zonën e veriut. Kjo ndërtesë me arkitekturë të veçantë, ka brenda ambienteve të saj një fortesë e cila shërbente si një vend roje, vrojtimi dhe mbrojtjeje për banorët e saj. E ndërtuar rreth vitit 1800, tashmë është në një gjendje jo të mirë.

E nëse jeni të apasionuar pas natyrës nga maja e malit të Balës, nga ku mendohet se ka marrë edhe emrin fshati, mund të shikosh bukuritë mahnitëse të zonës e cila shoqërohet nga vargmale, lugina dhe kroje të pafundme. Dhe jo vetëm Iballa por edhe fshatrat përreth kanë historitë dhe bukuritë e tyre mahnitëse.

Pavarësisht se pasur me resurse natyrore, por jo vetëm, investimet në këtë zonë kanë qenë të pakta madje ata që po i japin jetë këtij vendi, janë vetë banorët të cilët vitet e fundit duke përfituar nga potencialet natyrore kanë investuar bujtina si eche kanë vendosur tabela informuese për të thirur më shumë pushues.

Vlerat natyrore, trashëgimia e pasur historike e kulturore shpirtërore e materiale e gërshetuar me tiparet karakteristike të malësorit iballas, e bëjnë këtë trevë të dashur jo vetëm për banorët e saj, por edhe për vizitorët e viseve të tjera shqiptare dhe për turistët e huaj.