“Industria nxjerrëse” i zë vendin “energjisë elektrike”/ Renditet e para ndër investimet e huaja në Shqipëri gjatë 2021-shit, rritet “real estate”

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë në lidhje me investimet e huaja direkte tregojnë se, “Industria nxjerrëse” ka marrë vendin e parë sa i përket flukseve vjetore hyrëse në vendin tonë. Ky sektor ka tërhequr rreth 247 milionë euro investime të huaja direkte gjatë vitit të kaluar, ose rreth ¼ e totalit prej rreth 1 miliard eurosh. “Industria nxjerrëse” ka zëvendësuar në krye të klasifikimit, “energjinë elektrike”. Edhe sa i përket vendit të dytë në renditje, shohim se ka një rikonfigurim, me “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” që i kanë “rrëmbyer” pozicionin “ Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit”, dhe kanë tërhequr rreth 191 milionë euro investime të huaja në një vit. Ndërkohë, “aktivitetet financiare dhe të sigurimit” kanë tërhequr rreth 152 milionë euro në formën e invetimeve të huaja direkte. “Industria përpunuese” si dhe tregtia me shumicë e pakicë mbyllin 5 vendet e para të renditjes së flukseve të IHD sipas aktivitetit ekonomik. Në vend të fundit ndërkohë është bujqësia, me vetëm 220 mijë euro investime të huaja në një vit.

Sa i përket ndryshimeve vjetore sipas sektorëve, në sy bien dy prej tyre. “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme”, që janë ngjitur në vend të dytë, kanë regjistruar një rritje vjetore të flukseve prej 139.2%, duke shënuar edhe rritjen më të madhe vjetore mes të gjitha aktiviteteve të tjera. Flukset e IHD për këtë aktivitet ekonomik gjatë 2020-ës ishin vetëm 80 milionë euro. Edhe “transporti dhe magazinimi” shënon një rritje të lartë nominale, mbi 120%, por që në terma absolut regjistron vetëm 34 milionë euro në formën e IHD-ve në një vit. Sektori i dytë që bie më së shumti në sy është ai i “energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ujë”, që ka pësuar edhe rënien më të madhe vjetore mes aktiviteteve me peshë në investimet e huaja direkte. Rënia vjetore e flukseve të IHD për këtë aktivitet regjistrohet në rreth 76%, duke zbritur nga 258 milionë euro në vitin 2020, në vetëm 60 milionë euro në vitin 2021. Gjatë viteve të fundit, ky aktivitet ka qëndruar në krye të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte në vendin tonë, në mënyrë të padiskutueshme.