Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se Për periudhën janar mars të këtij viti, qytetarët kanë treguar më pak interes nga një vit më parë për investimet në letrat me vlerë të qeverisë. Totali I transaksioneve në tregun sekondar të tyre rezulton rreth 3 milionë dollarë më I ulët nga një vit më parë
Për periudhën janar mars të këtij viti, qytetarët kanë treguar më pak interes nga një vit më parë për investimet në bono thesari. Në totalin e transaksioneve në tregun sekondar të marra së bashku, vihet re një ulje në vlerë absolute me rreth 309 milionë lekë, apo rreth 3 milionë dollarë, krahasuar me periudhën janar-mars 2020. Të dhënat vijnë përmes raportit të sapo publikuar të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi ecurinë e Tregut me Pakicë të Titujve të Qeverisë për periudhën janar-mars 2021.
Vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë për periudhën janar-mars 2021, u dominua në masën 70.18% nga transaksione në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 29.82% nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 85.02% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të titujve të Qeverisë për periudhën janar-mars 2021, flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 55.87% dhe 31.04% kundrejt vëllimit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë, për periudhën janar-mars 2021 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.46% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-mars 2021, ka pasur një ulje prej 111 milionë lekë ose 10.38% krahasuar me periudhën janar-mars 2020. Numri i transaksioneve i llojit B është ulur në masën 16.15%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-mars 2021, ka pasur një ulje prej 198 milionë lekë ose 30.21%, ndërkohë pati një ulje në numrin e transaksioneve në masën 15.82%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit 2020.










