KASH “rrëzon” paketën fiskale – Propozime konkrete: Të unifikohet TVSH në shitje dhe blerje

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar ka dalë më një qëndrim të unifikuar drejtuar qeverisë lidhur me buxhetin dhe paketën fiskale 2022 për sektorin bujqësor dhe blegtoral. Kështu, KASH propozon  rishikimin e buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë, duke rritur fondet, veçanërisht në ato kapituj që janë parashikuar me ulje te ndjeshme.

Propozimi bazohet në faktin që mazhoranca që qeveris aktualisht vendin, në strategjinë e miratuar të bujqësisë dhe zhvillimit rural, e kanë konsideruan bujqësinë si sektor prioritar, ndërkohë që nuk e trajtojnë të tillë. Gjithashtu KASH kërkon që  ligjet fiskale nuk duhet të ndryshojnë pa u studiuar, pa u diskutuar dhe pa u konsultuar paraprakisht me përfaqësuesit e sektorit privat, të shoqatave dhe grupet e interesit.

Lidhur me propozimin që fermerëve vendas t’iu hiqet edhe rimbursimi prej 6 % i TVSH qe kane patur deri tani, KASH propozon që të bëhet një studim dhe diskutim real me grupet e interesit mbi situatën e TVSH si dhe të unifikohet TVSH në blerje dhe në shitje, në mënyrë që të mos nxitet informaliteti. Sa i takon taksimit të qumështit pluhur, KASH propozon që të mos miratohet tarifa 100 lek/kg për qumështin pluhur pa u përfunduar studimi dhe argumentimi i kësaj tarife.

Ndërsa sugjeron se nëse duhet filluar procesi për vendosjen e një tarife ekstra në import, ajo të jetë në fushën e blegtorisë dhe konkretisht në importin e antibiotikëve.  Lidhur me vendosjen e TVSH-së 10 për qind për inputet bujqësore, KASH kërkon që zbatimi i kësaj nisme të shtyhet për në vitin 2023.