Kompanitë e sektorit energjetik morën rreth 10 miliardë lekë kredi për blerje energjie në dy muajt e fundit të 2021

Vetëm në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, kompanitë shtetërore të sektorit energjetik morën rreth 10 miliardë lekë ose 81.5 milionë euro kredi nga sektori bankar.

Bëhet fjalë për kredi të marra në monedhën euro, në formën e ovedrafteve dhe kredive me kapital qarkullues. Nevojat për rritje të importeve të energjisë elektrike dhe shtrenjtimi i çmimeve që nisi në vjeshtë i ka vendosur në sprovë kompanitë e sektorit energjetik në vend.

Në muajin nëntor 2021, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mori dy kredi në vlerë prej 30 milionë eurosh në sistemin bankar vendas, me qëllim mbulimin e nevojave për blerjen e energjisë elektrike. Për këto kredi, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e garancive sovrane, përkatësisht për një hua në vlerën e 20 milionë euro nga Banka OTP Albania dhe për një hua në vlerën 10 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve.

Statistikat treguan se për vitin e kalua se kredia e re për ndërmarrjet publike është rritur me 3.4 herë krahasuar me një vit më parë, për një shumë totale vjetore prej 14.5 miliardë lekësh. Ndikimin kryesor e kanë dhënë pikërisht kreditë e marra nga kompanitë e sektorit energjetik, me qëllim financimin e importeve të energjisë elektrike.

Për shkak të probleme të trashëguara historike dhe rreziqeve të mëdha të lidhura me aktivitetin e tyre, kompanitë e sektorit energjetik në vend nuk mund të sigurojnë dot hua nga sektori bankar pa ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare. Deri më sot, ky mekanizëm ishte shfrytëzuar kryesisht nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në fund të tremujorit të tretë 2021, vlera e garancive të dhëna nga buxheti në favor të KESH për garantimin e huave bankare kishte vlerën e 4.1 miliardë lekëve.