Konfiskohen në Tiranë tetë pallate dhe shtesa

Tetë pallate dhe shtesa pa leje të ngritura në Tiranë i kanë kaluar shtetit. Këshilli Kombëtar i Territorit ka marrë vendimet, ku vetëm godina në qendër e njohur si ‘Sytë e Tiranës’ ka transferuar vullnetarisht shtesën pa leje, pjesa tjetër është konfiskuar.

Konfiskime ka në rrugën ‘Qamil Guranjaku’, pranë kryqëzimit me ‘Rrugën e Elbasanit’ të një hoteli me 6 kate, një pallati dhe kateve shtesë pa leje në dy pallate të tjera në zonën e Farkës, katet 4 deri në 7 të një kompleksi banimi në “Rrugën e Elbasanit” dhe tre kate pa leje në një pallat “Rrugën Kont Urani’, mes “Rrugës së Kavajës” dhe “Rrugës së Durrësit”.

Janë konfiskuar gjithashtu edhe katet shtesë të një godine banimi dhe shërbimesh në rrugën e ‘Myslym Shyrit’.

Në fillim të shtatorit qeveria mori vendimin për të konfiskuar të gjitha godinat dhe shtesat pa leje.

Ndërtuesve iu dha mundësia e parablerjes me çmimin e tregut, dhurimit për shtetin, ose konfiskimi me forcë. Nga vendimet e KKT-së, vetëm godina shumëkatëshe në qendër të Tiranës ka dhuruar katet shtesë pa leje, të tjera janë konfiskuar me forcë.