Kosovë/Bizneset në sfidë me sigurimin e lëndës së parë

Lufta e shkaktuar në Ukrainë nga Rusia, ka ndikuar që bizneset në Kosovë të ballafaqohen me problemin e furnizimit me lëndën e parë. Fjolla Smaili-Azemi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, tha se nga vizitat që i kanë realizuar në biznese, një nga problemet më të madha që kanë adresuar bizneset ka qenë vështirësia e sigurimit të furnizimit me lëndë të parë.

Azemi: Kemi pas ankesa nga bizneset lidhur me furnizimin me lëndë të parë

“Nga vizitat të cilat kemi realizuar kemi pas ankesa nga bizneset lidhur me furnizimin me lëndë të parë e cila ka ardhur kryesisht për shkak të luftës së zhvilluar në Ukrainë, pastaj ngritjes enorme të çmimeve të secilit produkt e veçanërisht e naftës dhe derivateve të saj. Rritja e çmimeve të naftës dhe derivateve ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të transportit, e cila domosdoshmërisht ka ndikuar në kohëzgjatjen e ardhjes së produkteve, gjegjësisht furnizimit me lëndë të parë, nga vendet e rajonit apo edhe më tutje në Kosovë. Kjo sigurisht se ka ndikuar edhe te sigurimi i lëndës së parë dhe njëkohësisht ka bërë që bizneset e ndryshme të kenë problem sigurimin e lëndës së parë, të shkojnë më gjatë kontratat të cilat i kanë pasur të kontraktuara me partnerët e tyre dhe sigurisht të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të produktit final, sepse përderisa është rritur kostoja e transportit, sigurisht është rritur edhe kostoja e produktit final dhe e çmimit final të produktit i cili do të plasohet në treg”, tha Azemi.

Sipas saj, për shkak të ngritjes së çmimeve të produkteve finale, konsumatorët aktualisht detyrohen që të eliminojnë të gjitha produktet e luksit dhe të fokusohen të produktet që janë nevoja esenciale, në këtë formë, Azemi tha se kjo po dëmton dhe po ndikon negativisht te bizneset.