Kosovë/ Fillon implementimi i masave në kuadër të paketës së ringjalljes, është hapur aplikimi për pensionistët, studentët dhe…

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro. Aplikimi për këto para do të nis nga sot. Lidhur me vendimin për ndarjen e kësaj shtese kanë reaguar pozita, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të bizneseve.

Gjatë ditës së sotme pritet të lëshohet në përdorim linku për aplikim për 100 eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për sektorin privat dhe studentët.

Aplikimi për këtë masë do të bëhet përmes faqes zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Nga ATK-ja kanë treguar se aplikimi do të hapet sot dhe janë duke punuar në këtë drejtim.

“Sot, gjatë ditës pritet të lëshohet në përdorim linku për aplikim. Zyrtarët e ATK-së janë duke punuar në këtë drejtim, por se për detaje do t’iu njoftojmë gjatë ditës, sapo linku të jetë gati”.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, kishte thënë Kurti.

“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik. Studentët do t’i përkrahim me shumë të menjëhershme prej 100 euro, ku do të përfitojnë 80 mijë studentë”, ka shtuar ai.

Kurti ka theksuar se vlera totale e kësaj përkrahje është mbi 100 milionë euro.

Po ashtu, ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati është shprehur se kategoria e parë e cila do të përfitojë menjëherë shtesën do të jenë pensionistët.

“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave. Pastaj do të jenë pagat në sektorin publik për të cilat kemi të dhëna që do të shpërndahen në fund të muajit, edhe mbështetja për asistencën sociale do të shpërndahet sipas afatit të rregullt”, u shpreh Murati.

Ministri theksoi se për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për të përfituar shtesën prej 100 eurove.

Lidhur me vendimin për ndarjen e kësaj shtese nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike ka reaguar edhe opozita, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të bizneseve.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka hedhur një varg kritikash ndaj Kurtit, duke thënë se popullizmi varfëron vendin.

“Mungesën e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po e zëvendësojnë me popullizëm. Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë”, thuhet në reagimin e Abdixhikun

Ndërsa, sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Berndard Nikaj e ka cilësuar si “të paaftë” për të qeverisur Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pas vendimit për ndarjen e kësaj shtese.

“Krejt çfarë po bën Kryeministri Albin Kurti është ajo që ai di ta bëjë më së miri, e që është popullizmi. Pasi ua rriti çmimin e energjisë elektrike me mbi 100 për qind qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrin të kontrolloj rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar të shportës familjare, qeveria e nisi sot ditën me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës përmes një lëmoshe as më shumë dhe as më pak se në vlerën 100 euro”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ndarja e 100 eurove shtesë është një lloj mashtrimi.

“Kurti nuk po dëshmon se ka një plan të mëtejmë. Ai dëshiron t’i mbajë paratë në buxhet dhe kohë pas kohe po i kthen në njëburimore, por që nuk e ndryshon inflacionin. Minimum duhet të shkohet në rritjen e pagave dhe skemave pensionale nga 30-50 për qind, ndryshe nuk zgjidhen problemet”, tha Haradinaj.

Drejtori i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi ka kritikuar vendimin për ndarjen e 100 euroshit ka pyetur se nëse Qeveria ka për synim t’i ndihmoj grupet e cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, atëherë përse të futen me një thes edhe ata që kanë paga të larta.

“E pse? Nuk zmbrapsen kërkesat populliste për paga e pensione, duke marr vendime po aq populliste. Nëse Qeveria ka synim t’iu ndihmoj grupeve të cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, përse me i fut të gjithë me një thes? Pse me i marr 100 euro si ata 2 për qind e punëtorëve që kanë paga shumë të larta, si ata që luftojnë për rritje të pagës minimale? Përse me marr subvencionim të njëjtë si studentët që banojnë në konvikte, si studentët që shkojnë në ligjërata me Range Rover? Përse këto së paku 70 milionë euro që do ju ndahen në prill të gjithëve, nuk shkojnë në projekte zhvillimore që munden të garantojnë punësim të qëndrueshëm ose me për të synuar atë 20 për qind të popullsisë që jeton në varfëri, apo me më pak 1.85 euro në ditë?”, ka pyetur Demi.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) propozon që vlera e prezantuar nga Qeveria për të gjitha kategoritë të jepet në formën e kuponëve – bonove dhe të njëjtat të shfrytëzohen për blerje të produkteve vendore në markete.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar nga Qeveria që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet, por të realizohet në mënyrë që të rritet mirëqenia ekonomike dhe sociale e punëtorëve.

Kjo pako do të aplikohet gjatë muajit prill dhe nga e njëjta do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht çdo familje në Kosovë.