Kosovë/OAK, ATK e bizneset anëtare diskutojnë për sfidat gjatë ushtrimit të veprimtarisë

Ligji për ATK-në, evazioni fiskal, e qasja e inspektorëve të ATK-së ishin disa nga temat e takimit të përbashkët që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi me drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj.

Fokus kryesor i këtij takimi ishin diskutimi për sfidat që po hasin bizneset e sektorëve të ndryshme nga vendi ynë në raport me institucionin e Administratës Tatimore të Kosovës.

Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, falënderoi drejtorin Murtezaj që në vazhdimësi përgjigjet pozitivisht ftesave dhe kërkesave që OAK deri më tani ka deleguar tek ATK.

Sipas Krasniqit, qëllimi kryesor është që Administrata Tatimore e Kosovës të konsiderohet si shtyllë për të hyrat buxhetore, ndërsa theksoi që ankesë kryesore e bizneseve konsiderohet qasja e dyfishtë që hasin gjatë bashkëpunimit me zyrtarët e ATK-së kjo sepse në zyrat qendrore zakonisht haset më shumë mirëkuptim, ndërsa e kundërta ndodhë me inspektorët e terrenit.

Ndërsa, Murtezaj, theksoi se takimet e tilla u mundësojnë bizneseve të informohen nga afër me çështje për të cilat ato kanë interes, por njëkohësisht edhe institucioni të vlerësojë veten në raport me bizneset dhe përmirësimet që duhen bërë.

Sipas Murtezaj, ky 5 mujor ka qenë tejet pozitiv për ATK-në pasi janë siguruar të hyra prej më shumë se 13% nga ajo e planifikuar si dhe gjatë të njëjtës periudhë është rritur me rreth 10% numri i bizneseve që paguajnë deklarimet.

Administrata Tatimore e Kosovës është në periudhë reformuese, kjo pasi që në vazhdimësi po tenton të avancoj shërbimet që ofron si dhe të ngritë kapacitetin e punonjësve, e gjithashtu po krijon mekanizma për verifikim të punëve, gjë e cila pamundëson çdo keqpërdorim eventual, shtoi Murtezaj.

Ndërsa, Melisa Sharku, si kryesuese e grupit punues në kuadër të OAK-së për çështje financiare shtoi që për bizneset është shumë e nevojshme të shkurtohet periudha e kthimit prapa të kontrolleve nga 6 vjet në 4 vjet, ndëshkimi për vonesa të bëhet në baza ditore e jo mujore siç është aktualisht, të mundësohen korrigjimet, si dhe deklarimet e TVSH-së të bëhen çdo tre muaj.

Anëtari i bordit, Shyqiri Bytyqi theksoi se është e nevojshme të bëhet diferencimi i bizneseve serioze, të njihen me ligj situatat e vështira financiare e për të njëjtat të lejohet që paraprakisht të krijohen marrëveshje me ATK-në e gjithashtu të bëhen ndryshime në periudhën e deklarimeve nga ato mujore në tremujore, sepse do të ndikojë në rrjedhën e parasë, pasi aktualisht bizneset paguajnë TVSH-në për mjete të cilat jo domosdo menjëherë inkasohen.

Gjatë takimit ishte edhe pjesa e hapur e diskutimit, ku bizneset parashtruan sfidat, idetë dhe çështjet me interes për ato, e në të cilat pranuan përgjigje konkrete nga Murtezaj.

Ky takim ishte në kuadër të takimeve të përbashkëta që OAK po organizon për bizneset anëtare me përfaqësues të Institucioneve, me qëllim të vetëm lehtësimin e komunikimit dhe adresimin e çështjeve me interes për këta të fundit.