Liqeni i Lepurit në Shëngjergj, ideal për hiking

Nëse je i apasionuar pas hiking dhe sportit liqeni i Lepurit në Malësinë e Tiranës është një alternativë e mirë. Pak kilometra larg Tiranës, tashmë ky liqen në Shëngjergj po kthehet në një destinacion gjithnjë e më shumë të preferuar.

Ai veçohet nga pastërtia dhe ngjyra e gjelbër e ujit, por edhe nga pishat e larta, malet dhe gjelbërimi që përbëjnë kornizën e përsosur. Ky liqen piktoresk është një alternativë mjaft e mirë për hiking gjatë ditës së diel por më aventurierët dhe të apasionuarit pas sporteve mund të zgjedhin edhe biçikletën.

Liqeni i Lepurit është i rrethuar nga pishat, malet dhe kodra dhe të mahnit me ngjyrën e pastër e të gjelbër. Vetëm 1 orë nga Tirana ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës.

Pasi ke përshkuar afro 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shërgjergj, ndodhet edhe Ujëvara e Shëngjergjit, një mrekulli nga pikëpamja e peizazhit.