Lulëzon biznesi i hidrosanitareve

Sektori i tregtimit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave këtë vit po përjeton periudhën e artë të shitjeve, për shkak të rritjes së ndërtimeve të reja në Tiranë dhe zhvillimit të programit të rindërtimit. Për periudhën janar-tetor 2021, importi i pllakave ka shënuar nivelin më të lartë që nga 2015-a.

Në total, sipas të dhënave të doganave, për janar-tetor 2021 janë importuar 5,8 mld lekë pllaka. Në krahasim me 2020-n, importet e 10-mujorit janë rritur 32%. Ecuria e importit është shfaqur pozitive edhe për pajisjet hidrosanitare. Nga 2015 deri në 2021, trendi i tyre vijon të jetë rritës. Në periudhën janar-tetor 2021, importi i pajisjeve hidrosanitare është 26% më i lartë se e njëjta periudhë me 2020-n.

Për 2021, kompanitë njëzëri pohojnë se shitjet janë shumë herë më të larta se 2020. Disa operatorë thanë se kërkesa për pajisje hidrosanitare është dyfishuar në krahasim me vjet. Arsyet kryesore që kanë rritur së tepërmi kërkesën këtë vit, sipas shoqërive të tregtimit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave, janë shtimi i kantiereve të reja të ndërtimit në Tiranë dhe programi i rindërtimit për apartamente dhe shtëpi individuale të reja pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ndryshe nga sa ndodhi në 2020-n, këtë vit fluksi i emigrantëve që u kthyen në atdhe ishte i lartë. Ky ishte një tjetër faktor që favorizoi kompanitë të rrisin shitjet, veçanërisht në zonat rurale gjatë stinës së verës. Historikisht, prej vitesh, në muajt e verës shumë emigrantë që jetojnë jashtë kryejnë investime për rinovim të pajisjeve hidrosanitare apo për ndërtimin e shtëpive të reja.

Kriza e Covid-19 nuk ndikoi negativisht edhe vjet në tregun e shitjes së pajisjeve hidrosanitareve dhe pllakave. Pesë kompanitë kryesore të tregut pohuan se kërkesa u godit vetëm në karantinë, por u rigjallërua menjëherë me hapjen e ekonomisë.

Në 2020, sipas të dhënave të Doganave, importet e pllakave qeramike shënuan rritje 5% në krahasim me 2019. Në 2020, importi i pajisjeve hidrosanitare ishte me rënie rreth 4% në raport me 2019-n. Vjet, për disa kompani të sektorit, shitjet për periudhën maj-dhjetor (pas përfundimit të karantinës) ranë rreth 30% në krahasim me 2019-n për shkak të moskthimit të emigrantëve.

Shoqëri të tjera raportuan se vjet shitën më shumë produkte se në 2019, pasi sipas tyre, kërkesa u forcua nga konsumatori familjar që nuk i ndërpreu shpenzimet për pajisje në raste dëmtimesh apo rinovimi dhe zhvillimi i projekteve të akomodimit në zonat bregdetare.