Maja e Qorres – Natyra e Egër Përgjatë Rivierës Shqiptare

Nëse jeni në kërkim të aventurës, mrekullive të shumta natyrore apo majave të larta, relievi i Shqipërisë ua mundëson këtë. Jo vetëm majat në veri të vendit, por edhe malësia e jugut të ofron një natyrë përrallore për të apasionuarit në ecje. 

Vlora është e pasur jo vetëm me histori, por edhe natyrë që të lejon të ushtrosh të gjitha llojet e sporteve, ujore, ajrore, si edhe aventurat unike të ngjitjes në mal. Në Parkun Kombëtar të Llogarasë ju mund të gjeni një faun dhe florë të pasur në thellësinë e pyjeve të parkut. Për alpinistët një mundësi e mirë është të arrijë në majë të malit të Qorres, për të shijuar panoramën magjike të detit, e cila ndërthuret me male dhe pisha.

Malësia Akrokeraune është një vargmal bregdetar në jug të Shqipërisë, i cili shtrihet përgjatë detit Jon, duke filluar nga Orikumi në veriperëndim dhe vijon drejt juglindjes në drejtim të Sarandës.  Pjesa më e lartë është Maja e Çikës 2045 m dhe Maja e Qorres 2018 m.

Maja e Çikës madje zë edhe vendin e 85-të të majave më të larta të maleve në Evropë, çka e bën këtë majë pjesë të guidave vendase dhe të huaja. Klima është mesdhetare, me verë të nxehtë dhe dimër të ftohtë e të thatë.

Nga maja e Qorres këndi i shikimit rrok një pamje 360 gradë, nga ku duken lumi i Vlorës me fshatrat dhe zonën përreth, malet e Labërisë përmbi lumë, nga ku kalon për në Kurvelesh, Nivicë e Tepelenë. Në të majtë është Joni me të gjithë fshatra e bregut që i gjejmë në librat e Petro Markos dhe këngët e Lefter Çipës, i cili shprehet: “Fshati sipër reve. Ngritur përmbi maja. Ç’u thotë rrufeve. Pa rrini pak mbrapa”, ndërsa përballë shikon Orikumin e Vlorën dhe imagjinata duke i dhënë krahë fantazisë, përfytyron për një çast udhëtimin e Çezarit duke u ngjitur nga brigjet e Orikumit për në qafë të Llogorasë, për t’u ndeshur aty me Pompeun, ndaj edhe shtegu në Llogara quhet “Shtegu i Çezarit”.

Dhe zbritja bëhet edhe me interesante pasi udhëtimi përmbyllet duke drekuar në restorantet të cilat janë pjesë e Parkut Kombëtar të Llogarasë, të cilët njihen për ushqimin e mirë me produktet e kosit dhe mishit bio nga kullotat e malit të Çikës, pasi banorët e kësaj zone shquhen për ushtrimit e blegtorisë.