Mbi 3600 fermerë pajisen me NIPT në dy muaj – Rritet interesi për të përfituar nga fondet në bujqësi

Skemat financuese të fermerëve të aplikuara nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural vit pas viti kanë nxitur edhe ndërgjegjësimin e tyre për tu formalizuar dhe për t’u pajisur me niptin përkatës, si kriter kryesor për të qenë përfitues.

Qarqet që kanë pasur fluksin më të lartë të pajisjes me nipt janë Fieri, Korça, Elbasani, Berati dhe Vlora, ndërsa ma pak fermerë të regjistruar rezultojnë në Lezhë dhe në Sarandë.   Numri i fermerëve të pajisur me Nipt është rritur vit pas viti, dhe po ta krahasojmë me 2018-ën, regjistrohen mbi 25 mijë fermerë të formalizuar në një periudhë 3 vjecare.

Megjithatë, po të marrim parasysh se në total janë 354 mijë fermerë, rezulton se vetëm 18.8 për qind prej tyre janë të formalizuar dhe që kanë akses në fondet për bujqësinë, si në skemat shtetërore edhe në ato të Bashkimit Europian që aplikohen përmes programit IPARD, duke bërë që më shumë se 80 për qind të jenë informalë.

Më 25 Shkurt, Agjencia Për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka hapur aplikimet për 13 skema mbështetëse përmes Skemës Kombëtare, ku fond i vënë në dispozicion në total është 3.2 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1 miliardë lekë do të shkojnë për naftën falas në bujqësi. Feremerët e pajisur me nipt nuk kanë asnjë detyrim tatimor për të paguar.