Ministria e Arsimit: Nga ky vit leksionet në Universitetet publike me detyrim

Përkundrejt protestës së pedagogëve që kanë paralajmëruar dhe bojkot të procesit mësimor në rast të mosplotësimit të kërkesave nga Ministria e Arsimit, ky dikaster vjen me një udhëzim të ri. Me urdhër të ministres Evis Kushi, Ministria e Arsimit vendos që prezenca e studentëve në auditore të mos jetë në vullnetin e tyre të lirë, por do të jetë e detyrueshme.

Udhëzimi përcakton dhe limitin e mungesave që i lejohet një studenti të kryejë, në të kundërtën do të penalizohet deri në përsëritjen e vitit akademik. Në disa fakultete ka ekzistuar si praktikë, por  tashmë do të veprojnë njësoj si në rastet e seminareve, ku edhe gjatë leksioneve do të ketë regjistra që mbajnë shënim mungesat e studentëve.

Nëse studentët nuk frekuentojnë rregullisht proceset mësimore, do të detyrohen të paguajnë tarifë shtesë si për provimet që lënë për vjeshtë, ashtu edhe tarifë vjetore në rast të përsëritjes së të gjithë vitit.