Miratimet për centralet e diellit dhe erës – Të dhënat e MIE për 2021-in, u dha vetëm një miratim përfundimtar për impiant eolik

Gjatë vitit 2021 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar 17 aplikime për projektet e impianteve të vegjël të prodhimit të energjisë nga dielli si dhe ka dhënë 7 miratime paraprake për centralet eolikë. Të dhënat janë bërë publike nga Enti Regullator i Energjisë, ku u specifikua se gjatë vitit që lamë pas, për 1 impiant të prodhimit të energjisë nga era është dhënë miratimi përfundimtar.

Të dhënat u bënë publike gjatë diskutimeve për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli dhe nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale për vitin 2021. Bordi I ERE-s vendosi të mbyllë procedurën, pa përcaktuar një çmim, për shkak të mungesës së miratimeve përfundimtare.

Ndërtimi i këtyre impianteve është i rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht energjia diellore mbetet pak e shfrytëzuar në vendin tonë, teksa në prodhim janë 11 impiante të vegjël, me fuqi totale të instaluar 23 MW. Ndërkohë që, sa i takon energjisë së erës, aktualisht asnjë central nuk ka hyrë në prodhim.