Moody’s rikonfirmon vlerësimin “B1” – Perspektivë e qëndrueshme për ekonominë shqiptare!

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit  “Moddy’s” rikonfirmon vlerësimin e ekonomisë shqiptare në “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në rifreskimin e publikuar së fundmi.  Po nga ana tjetër, vlerëson se përpos pandemisë,  një konflikt i zgjatur Rusi-Ukrainë do të paraqiste një risk shtesë për parashikimet e agjencisë, pasi çmimet më të larta të energjisë dhe/ose dobësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorëve mund të sjellin një ndikim negativ për ekonominë vendase.

Megjithatë agjencia vlerëson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj Rusisë, prej ndërvarësisë energjetike apo tregtisë, është i ulët dhe po kështu edhe ndaj ndërprerjeve tregtare, pasi eksportet e mallrave drejt Rusisë dhe Ukrainës përbënin respektivisht 0.01% dhe 0.14% të totalit të eksporteve në 2020. Sa i takon zhvillimit të ekonomisë në tërësi, “Moody’s”  vlerëson se rimëkëmbja ekonomike ishte e fortë, me bazë të gjerë dhe ndryshe nga sa pritej fillimisht, me një rritje prej 8.9% në 2021, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti nivelin para pandemisë, që në tremujorin e dytë të 2021.

Ndër faktorët që mbështetën rritjen, agjencia nënvizon se ka qenë politika fiskale dhe ajo monetare.  “Moody’s”  parashikon që rritja e PBB-së të jetë e qëndrueshme në vijim, me 4.5% në 2022 dhe 4.0% në 2023, duke u mbështetur nga rimëkëmbja e mëtejshme në sektorin e turizmit, si dhe kërkesa e brendshme e qëndrueshme. Po ashtu parashikohet një rënie graduale e borxhit publik dhe ngushtim të deficit fiskal.  Agjencia parasheh që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet mbi 3% në gjysmën e parë të 2022 dhe më pas të ulet në 2.5% në fund të vitit.