Ndërtimi ishte sektori më i kredituar i ekonomisë për muajin shtator

Ndërtimi ishte sektori më i kredituar i ekonomisë shqiptare për muajin shtator.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për ndërtimin dhënë nga bankat tregtare arriti vlerën e 4.3 miliardë lekëve, niveli më i lartë që prej dhjetorit të vitit 2019. Për herë të parë në të paktën pesë vitet e fundit, ndërtimi ka kaluar tregtinë në vlerat mujore të huamarrjes, duke u bërë sektori më i kredituar i ekonomisë shqiptare.

Gjatë këtij viti, tendenca e kreditimit të ndërtimit është në rritje të dukshme. Për nëntë muaj, ky sektor ka përfituar hua të reja në vlerën e 23.1 miliardë lekëve ose rreth 188 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, kredia e re për ndërtimin është rritur me 50%. Edhe pesha specifike e këtij sektori në huadhënien e re është rritur ndjeshëm në 20.25%, nga 12.3% që ka qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fund të muajit shtator, portofoli total aktiv i kredisë për sektorin e ndërtimit arriti vlerën e 58 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 13.7%.

Ndërtimi ka qenë një sektorët kryesorë që mbështetën rritjen e kredisë, derisa në fundin e dekadës së parë të viteve 2000. Nga ana tjetër, ky sektor rezultoi si një nga “përgjegjësit” kryesorë për rritjen e nivelit të kredive me problem të bankave, për shkak të shumë investimeve që rezultuan të gabuara ose të mbështetura në pritshmëri tejet optimiste. Tashmë, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje, e nxitur nga zhvillimet pozitive në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimi mesatar i pasurive të paluajtshme vitin e kaluar u rrit me 11.3%. Rritja e çmimeve po inkurajon jo vetëm sipërmarrësit, por po nxit edhe më shumë bankat t’i mbështesin këto projekte. Megjithëse pjesa më e madhe e investimeve në ndërtim po financohet me burime të tjera, edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve.

Megjithatë, rritja e kredisë për ndërtimin nuk lidhet vetëm kreditë për ndërtime rezidenciale apo tregtare, por edhe me punimet inxhinierike. Në disa raste bankat kanë mbështetur në shuma të konsiderueshme projektet e partneritetit publik-privat, sidomos në infrastrukturën rrugore.

Në muajin gusht të këtij viti, bankat Intesa Sanpaolo Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank bënë të ditur se kanë financuar një kredi të përbashkët (sindikale) prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”. Shoqëria ka si objekt të aktivitetit ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”. Së fundmi, edhe Union Bank ka vendosur të mbështesë kompaninë koncesionare “Porti MBM”, me një kredi prej 6 milionë eurosh. Sektori bankar ka shfaqur interes në financimin e projekteve të PPP-ve, duke i gjykuar mundësi të mira biznesi me rrezik të kufizuar, pavarësisht se ato nuk garantohen nga qeveria shqiptare.

Në vitin 2017, BKT miratoi një kredi prej 28.5 milionë eurosh për kompaninë Albania Highway Concession, që po administron me koncesion Rrugën e Kombit, ndërsa në vitin 2018 e njëjta bankë miratoi një kredi prej 9.5 miliardë lekësh për firmën “Gjoka 87”, që po kryen punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.