Ndryshime në besimin ekonomik gjatë janarit, qytetarët optimistë ndërsa sipërmarrësit janë më të rezervuar

Pak optimizëm te qytetarët dhe pritshmëri të ulëta, thuajse demoralizim, për sipërmarrësit. Kjo është fotografia bardhë e zi e këtij fillimiviti në Vrojtimin e Besimit në ekonomi për janarin, nga Banka e Shqipërisë.

Ndërtimi është sektori me rënien më të madhe të besimit me 3,4%, ndjekur nga industria me 1,3% dhe tregtia me 1,1%. Tek të tre këta sektorë, emëruesi i përbashkët i rënies së besimit lidhet me rënien e kërkesës për blerje. Faktorët e tjerë janë shtrenjtimi i lëndëve të para dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Nga ana tjetër, qytetarët dhe ofruesit e shërbimeve iu përgjigjën pozitivisht pyetjeve të Bankës së Shqipërisë që kishin të bënin me çmimet, gjendjen financiare dhe shpenzimet. Besimi konsumator u rrit me 0,9%, ndërsa ai i shërbimeve me 4,3%.

Rritja e këtyre dy treguesve, gjatë muajit të shkuar, ka ndikuar edhe në tablonë e përgjithshme të besimit në ekonomi. Për të tretin muaj me radhë, treguesi i ndjesisë vijoi përmirësimin duke arritur në 106.3 pikë, megjithatë duke mbetur më i ulët se në gushtin e vitit të shkuar.

Të gjithë aktorët ekonomikë ndërkohë vijojnë t’i mbajnë sytë nga çmimet, teksa një thellim i paralajmëruar i krizës do të zbehte edhe ato pak pritshmëri të këtij fillimviti.