Ndryshon formula e kontributeve mbi pagat, përfitojnë të vetpunsuarit

Nga data 1 Prill hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi me 2 mijë lekë, duke e cuar atë në 32 mijë lekë për çdo punonjës.   Sipas vendimit të qeverisë, nga periudha Prill 2022, kjo do të jetë paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj. Ndërkohë që administrata tatimore ka sqaruar se si do të ndryshojë pagesa e kontributeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore me pragun e ri të pagës minimale.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, për personat e punësuar; për personat e vetëpunësuar; si dhe për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht, do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 32,000 lekë.