Nga Korabi në Këlcyrë – 10 Destinacionet Për të Mos u Humbur

1. Zbuloni Parkun Natyror Korab – Koritnik

Parku natyror Korab-Koritnik, i pozicionuar në verilindje të vendit, përbëhet nga vargmalet Koritnik- Gjallicë- Korab. I quajtur ndryshe ballkoni i Shqipërisë, parku ofron një mozaik të larmishëm peizazhesh mes maleve dhe burimeve të shumta ujore. Ky park që kufizohet nga tri shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, është kthyer në një atraksion për turistët që janë në kërkim të aventurave malore. Ai është i prekshëm në çdo stinë, por sezoni i dimrit i jep një tjetër bukuri.

2. Rrëmbehuni nga eksperienca unike e Kala Fest, Dhërmi.

Plazhet mahnitëse të jugut prej vitesh po klasifikohen si vendet ideale për t’i eksploruar. Pjesë e aventurës është edhe Kala Fest, e cila në verën e 2020-ës, vjen për të tretin vit rradhazi në Dhërmi. Përveç freskisë dhe detit të kristaltë, ju do të argëtoheni me tingujt e yjeve të muzikës botërore, të cilët do t’ju shoqërojnë deri në orët e para të mëngjesit, duke iu dhuruar një tjetër magji netëve verore.

3. Lin, Progradec

Në hyrje të Pogradecit, në një kodër buzë liqenit, ndodhet fshati Lin. Ky gadishull i vogël, me shtëpitë karakteristike dhe peizazhin e veçantë, mbetet një alternativë e mirë për destinacionet e 2020-ës. Aty mund të shijoni dhe peshkun tradicional të kësaj zone, koranin apo dhe belushkat, që rriten në liqenin e Ohrit.

4. Eksploroni agroturizmin në Reç

Përgjatë 2020-ës, ju ftojmë të zbuloni eksperiencat autentike shqiptare. Në  Reç të Shkodrës mund të vizitoni bujtinën Rruga e Mullirit, e njohur jo vetëm për ushqimin e freskët, natyrën e virgjër, por edhe për mundësinë që iu jep turistëve të njohin jetën e fshatit dhe proceset e ndryshme që ndodhin aty.

5.Vizitë në Antikitet, turi i UNESCO-s

Shqipëria është një vend mjaft tërheqës për këdo që është në kërkim të rrënjëve të së shkuarës. Dhe një ndër destinacionet që nuk duhet t’i mungojë 2020-ës, është edhe Turi i UNESCO-s. Berati me  muzen Onufri i cili tani ka edhe audio-giudën në katër gjuhë,  Butrinti i cili qëndron në harmoni të plotë mes natyrës dhe arkeologjisë mijra vjeçare, si edhe Gjirokastra për arkitekturën tipike, simbolikë e qytetit të gurtë, mbeten gjithmonë vendet më të vizituara.

6.Njihuni me Rehovën

Fshati piktoresk i Kolonjës, po kthehet gjithnjë e më tepër në një zonë atraktive dhe duhet të jetë pjesë e destinacioneve për 2020-ën. Me arkitekturën e veçantë, rrugicat me kalldrëm, shtëpitë prej guri e natyrën e qetë, Rehova është vendi tipik për të kaluar një fundjavë të qetë.

7. Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë

I pozicionuar në zonën e Librazhdit, Shebenik- Jabllanicë hyn në listën e parqeve të shumta natyrorë të vendit dhe ideali për t’u vizituar. I stolisur me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, është perfekt për të gjithë ata që janë  në kërkim të shpirtit të aventurës.

8. Dukati

Nëse do të prekni rivierën është i pashmangshëm kalimi në Dukat. IntoAlbania ju sugjeron të ndaloni në këtë fshat, dhe të mahniteni nga amfiteatri natyror i kësaj zone, për të soditur jo vetëm madhështinë e natyrës, por edhe gatimet e freskëta.

9.  Në zbulim të Nivicës

Nuk duhet t’i mungojë listës së destinacioneve të 2020-ës, fshati Nivicë, në afërsi të Tepelenës. I pasur jo vetëm më bukuri natyrore, por edhe me fakte të shumta historike, dëshmi të një qytetërim antik. Përveç kalasë 2400 vjeçare që është monument kulture, ato që do të mbeten gjatë në memorien tuaj, janë kanionet e Nivicës.

10. Gryka e Këlcyrës

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, gryka e Këlcyrës duhet të jetë pjesë e listës për t’u vizituar në 2020-ën. Ndryshe ajo njihet dhe si parajsa e njëmijë e një burimeve, ku ndërthuret bukur peizazhi natyror me bimësinë që gjendet përgjatë burimeve ujore.