Ngrohja me lëndët djegëse po përkeqëson cilësinë e ajrit në Kosovë

Qytetarët e Kosovës janë më të rrezikuarit nga ndotja e ajrit sa i përket shëndetit respirator. Ndotja vjen nga termocentralet, si dhe djegia e thëngjillit dhe karburanteve. E qytetet më të ndotura në vendin tonë, mbesin Prishtina, Fushë Kosova dhe Obiliqi.

Ndotje më e madhe e ajrit po theksohet se do të ketë gjatë dimrit, pasi së fundmi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka shfuqizuar vendimin që ndalonte dhënien e thëngjillit për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me arsyetimin që të kontribuojnë në tejkalimin e krizës energjetike.

Deri në vitin 2018, KEK u ka dhënë thëngjill si dhuratë punëtorëve të saj. Më 2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut, por së fundmi, ky vendim u shfuqizua.

Eksperti i ajrit Agron Bektashi ka thënë se në sezonin e dimrit është e pranishme ndotja më e madhe e ajrit.

Sipas tij, pjesa më e rrezikuar është trekëndëshi Prishtinë-Fushë Kosovë-Obiliq. Faktorët e kësaj ndotje, Bektashi konsideron se janë termocentralet, trafikun dhe djegiet e fosileve.

“Nuk ka dyshim që periudha nëntor-mars, është sezoni me ndotjen më të madhe të ajrit gjatë vitit në Kosovë e posaçërisht mund të them se pjesa më e rrezikuar në Kosovë është trekëndëshit Prishtinë-Fushë Kosovë-Obiliq, për shkak të grumbullimit të madh të industrisë dhe për shkak të trafikut të s’tërë ngarkuar. Tashmë janë identifikuar ndotësit më të mëdhenjtë të ajrit edhe pse në këtë rajon posaçërisht në Prishtinë, e kemi cilësinë e dobët, flasim për termocentralet, për trafikun e s’tërë ngarkuar dhe për djegiet, burimet fosile, kryesisht djegiet e ndryshme që qytetarët i përdorin për ngrohje. Fatkeqësisht kohëve të fundit ka filluar të digjet edhe thëngjilli, i cili fillimisht ka qenë i ndaluar me ligj, për shkak të krizës energjetike që ka kapluar Kosovën, si duket Qeveria dhe institucionet janë në mes të dy zjarreve të bëjnë zgjidhje se nuk kemi çfarë të djegin sivjet, përfshirë edhe mua. Nuk ka dyshim që djegia e thëngjillit ndikon negativisht në cilësinë e ajrit”, tha Bekteshi