“Pa filtra në krye të botës”, guida turistike për promovimin e destinacioneve në Malin e Tomorit

Për të njohur shqiptarët dhe të huajt me bukuritë e Shqipërisë, operatorët turistikë “1001 Aventura” organizuan guidë në malin e Tomorit.

Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e cila njoftoi se guida në Berat ka si synim promovimin e turizmit dhe me foto e materiale të ndryshme synon të promovojë destinacione turistike të Beratit.

“1001 Aventurat janë duke zhvilluar rafting, eksplorimin e shpellave dhe ngjitje në mal. Operatorët turistikë e kanë titulluar guidën “pa filtra në krye të botës””, njoftoi AKZM.

Parku Kombëtar i malit të Tomorit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Mali i Tomorit shënon majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit.

Bukuritë e rralla që ofron peizazhi, majat e larta, honet, luginat dhe gjelbërimi i pamasë e bën malin e Tomorit një nga destinacionet unike të turizmit malor.

Në malin e Tomorit dhia e egër është në habitatin e saj, pasi diversiteti i bimëve dhe shumëllojshmëria e tyre e bën një zonë të përshtatshme ku dhe shumohet.