Paketa Fiskale 2022 penalizon prodhimin vendas

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Qendra e Eksportuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe përfaqësues të sektorit të çimentos, i kundërshtojnë njëzëri ndryshimet e propozuara me Paketën Fiskale 2022. Ndryshimet propozohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në një kohë kur sipërmarrësit po vuajnë shtimin e kostove, nga shtrenjtimi i lëndës së parë, energjisë, gazit dhe transportit në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës nga Covid-19. Rritja e taksave, sipas tyre godet drejtpërdrejt prodhimin vendas, pasi shton kostot prodhuese dhe tkurr mundësitë financiare për investime. Bizneset paralajmërojnë se nga shtimi i taksave do të rriten importet dhe do të bien eksportet.

Me paketën e re është propozuar heqja e TVSH-së së rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH-së të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret. Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin  6 lekë/litri, nga zero aktualisht (më parë taksohej vetëm gazi që përdorej për automjete).

Mbështetur në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse, të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto. Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë aktualisht.

Shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin se projektligjet e paketës së re fiskale, jo vetëm që nuk e ndihmojnë sipërmarrjen të rimëkëmbet nga kriza e Covid-19, por do ta detyrojnë atë që, për të mbijetuar, të rrisë çmimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse këto ndryshime miratohen nga 1 janari 2022, çmimet e produkteve ushqimore do të rriten 30%. Grupet e interesit propozojnë se në këtë periudhë është më i përshtatshëm hartimi i një platforme kombëtare në ndihmë të prodhimit vendas, zbatimi i fondeve subvencionuese, krijimi i një fondi për të lehtësuar kreditimin, si dhe ulja e TVSH-së në 5% për produktet ushqimore.