Parku Shebenik-Jabllanicë, rreth 21 mijë vizitorë në këtë sezon turistik

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë vijon të jetë një ndër destinacionet turistike të preferuara nga turistët vendas e të huaj edhe në stinën e vjeshtës.Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla publikoi pamje nga ky park dhe turistët që e kanë vizituar atë ditët e fundit.

“Çdo ditë më shumë parku kombëtar i Shebenikut po vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj. Sipas administratorit të këtij parku numri i vizitorëve në këtë sezon ka arritur në rreth 21 mijë vizitorë. Destinacionet më të frekuentuara janë: Liqeni i Fushë-Studnës, Stebleva, Maja e Kallkanit, Liqenet akullnajore të Rrajcës, Maja e Shebenikut dhe Qarrishta”, tha Balla.

Çdo fundjavë parku frekuentohet nga grupe të ndryshme, të cilët përveç ngjitjes, bëjnë promovimin e resurseve të zonës, madje janë edhe shumë miqësorë ndaj mjedisit.

Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj. Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.