Për herë të parë në një vend arab dhe në dimër, luhet sot sfida e parë Ekuador-Katar në orën 17:00

Botërori i sportit më të ndjekur në planet do të zhvillohet në Katar, në vendin e parë arab dhe është hera e parë në historinë e këtij kompeticioni, që një turne zhvillohet në stinën e dimrin.

Botërori i Katarit konsiderohet si një ndër më të shtrenjtë në histori. Me botën që sytë i ka nga Katari, ky i fundit po përpiqet që të bëjë “show” të vërtetë, nga mëngjesi deri në darkë. Qindra hotele dhe komplekse luksoze janë ndërtuar 12 vitet e fundit, pas lajmit se vendi arab kishte siguruar të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 2022.

Nga 20 nëntori deri në 18 dhjetor, kur do të luhet finalja e madhe, vendi me më pak se 3 milionë banorë do të presë më shumë se 1.2 milionë vizitorë nga 32 vende të botës.

Ndeshja e parë e kompeticionit do të jetë ajo mes Ekuadorit dhe Katarit që do të luhet pasditen e sotme në orën 17:00, paraprirë nga një ceremoni hapëse që do të zgjasë për rreth një orë.

Institucioni më i lartë i futbollit FIFA ka vendosur që fituesi i trofeut të artë të marrë 40 milionë euro, ndërkohë që vendi i dytë do të fitojë 29 milionë euro ndërsa i treti 26 milionë euro.

Gjithashtu, FIFA ka vendosur të shpërndajë edhe më shumë se 200 milionë euro për klubet që kanë lojtarë në këtë kampionat.

32 kombëtaret e kualifikuara janë të ndara në 8 grupe me nga 4 skuadra.

GRUPI A: Ekuador, Holandë, Katar, Senegal

GRUPI B: Uells, Angli, Iran, Shtetet e Bashkuara

GRUP C: Arabia Saudite, Argjentina, Meksika, Polonia

GRUPI D: Australi, Danimarkë, Francë, Tunizi

GRUPI E: Kosta Rika, Gjermania, Japonia, Spanja

GRUPI F: Belgjikë, Kanada, Kroaci, Marok

GRUPI G: Brazil, Kamerun, Serbi, Zvicër

GRUPI H: Koreja e Jugut, Gana, Portugalia, Uruguai