Përkeqësohet cilësia e furnizimit me energji – Kohëzgjatja dhe frekuenca e ndërprerjeve nën parametra

Cilësia e furnizimit me energjie elektrike u përkeqësua gjatë vitit 2021, në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, 4 prej parametrave të cilësisë rezultuan nën standardet e miratuar. Këtu përfshihet energjia e pa furnizuar, indeksi i Kohëzgjatjes Mesatare të Ndërprerjeve, Indeksi i Frekuencës Mesatare të Ndërprerjeve apo Koha e Nevojshme për Rikthimin e Shërbimit të Furnizimit me Energji Elektrike pas një Defekti në Sistemin e Shpërndarje.

Sipas ERE-s, referuar treguesve të performancës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, konstatohet se rrjeti i shpërndarjes në vitin 2021 nuk është përmirësuar, ashtu si dhe numri dhe kohëzgjatja e defekteve në zonat rurale vazhdon të jetë akoma i lartë. Ndërkohë që, sipas raportimeve të OSSH, ndër shkaqet që kanë ndikuar në këtë përkeqësim janë: Covid-19, 11 emergjenca nga koha e keqe (periudha janar-mars), Emergjenca Energjetike e shpallur nga qeveria apo ndryshimet klimaterike të muajve të fundit.

Kriteret e cilësisë së furnizimit u miratuan 1 vit më parë, duke vendosur një sërë parametrash për kohëzgjatjen e ndërprerjeve të energjisë apo kohën e rikthimit të energjisë. Në atë kohë, kriteret u kundërshtuan nga OSSH, që kërkoi rishikimin e tyre, por kërkesa u rrëzua nga Enti Rregullator i Energjisë. Përcaktimi i këtyre treguesve është një detyrim ligjor, që prej vitit 2015, ndërkohë që rregullorja për përcaktimin e tyre u miratuan në vitin 2017. Për këtë arsye, në vendimin e saj ERE-s u argumentua se periudha nga viti 2015 deri në hyrjen në fuqi të treguesve ishte një kohë e mjaftueshme për të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshëm nga ana e OSSH, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore.