Përmirësohet besimi në ekonomi – Treguesi i ndjesisë ekonomike rritet me 0.8 pikë gjatë nëntorit, pas 3 muajsh në rënie

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistron një rritje prej 0.9 pikë në muajin nëntor, tregon vrojtimi i besimit të biznesit dhe atij konsumator (VBBK) nga Banka e Shqipërisë. Ky tregues regjistrohet për herë të parë në rritje, pas tre muajsh me radhë në rënie, duke risjellë disi optimizmin. Niveli aktual i tij qëndron 8 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rritja e indikatorit të përgjithshëm ka marrë shtysë kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e ndërtimit. Besimi në sektorët e industries dhe të tregtisë regjistroi rënie të lehtë, ndërsa besimi në sektorin e shërbimeve mbeti pothuaj në të njëjtin nivel me muajin e mëparshëm. Besimi konsumator  regjistroi gjithashtu përmirësim në muajin nëntor, sinjalizojnë shifrat.

Sa i përket pikërisht treguesit të besimit konsumator, gjatë nëntorit regjistrohet në rritje me 0.8 pikë përqindje, duke reflektuar veçanërisht pritjet më pozitive për gjendjen e përgjithshme ekonomike si dhe situatën e tyre financiare. Sa i përket treguesve të blerjeve të mëdha aktualisht, dhe në të ardhmen, regjistrohen në rënie gjatë nëntorit.

Ndërkohë, treguesi i besimit në shërbime (TBSH) mbeti pothuaj i pandryshuar nga niveli i muajit të kaluar, vetëm 0.1 pikë përqindje përmirësim.  Treguesi i besimit në tregti (TBT) ra me 1.2 pikë përqindje në muajin nëntor. Megjithatë, niveli i tij vijon  të qëndrojë mbi mesataren historike, nënvizon Banka e Shqipërisë. Treguesi i besimit të industrisë (TBI) shënoi rënie me 2.7 pikë përqindje në muajin nëntor, duke reflektuar kryesisht vlerësimin më të ulët të bizneseve për prodhimin aktual. Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 6.3 pikë përqindje në muajin nëntor, duke arritur vlerën më të lartë të pesë viteve të fundit. Rritja e treguesit reflektoi kryesisht vlerësimin optimist të bizneseve për porositë aktuale. Bizneset vlerësuan gjithashtu në përmirësim aktivitetin ndërtues gjatë muajve të fundit.