Politika monetare e BSh, ka ndihmuar mesatarisht me 0.9 pikë % në rritjen ekonomike gjatë pesë viteve të fundit

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar mesatarisht me 0.9 pikë përqindje në rritjen ekonomike gjatë pesë viteve të fundit.

Një analizë e Bankës së Shqipërisë për ndikimin e politikës monetare vlerëson se gjatë vitit 2021, efekti pozitiv i politikës monetare vlerësohet të jetë i ngjashëm me atë të vitit të mëparshëm, në rreth 1.3 pikë përqindje. Sipas vlerësimeve paraprake të Instat, ekonomia shqiptare vitin e kaluar u rrit me afërsisht 8.5%. Në mungesë të efektit të stimulit monetar, sipas vlerësimit të kryer nga Banka e Shqipërisë, rritja ekonomike supozohet se mund të ishte rreth 7.3%.

Efekti pozitiv i politikës monetare në rritjen ekonomike është përcjellë nëpërmjet uljes së normave të interesit dhe kostos së shërbimit të borxheve ekzistuese, të primeve më të ulëta të rrezikut, kreditimit të vazhdueshëm të ekonomisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare.

Kursi stimulues i politikës monetare ka frenuar trendin mbiçmues të kursit të këmbimit, me një ndikim mesatar prej rreth 0.6 pikë përqindje në vit për të gjithë periudhën. Kjo nënkupton se në mungesë të efektit të politikës monetare, leku do të ishte vlerësuar me mesatarisht 0.6 pikë kundrejt valutave të tjera në kursin e këmbimit valutor. Vitin e kaluar, leku shënoi pozitat më të forta historike në kursin e euros, në terma mesatarë vjetorë, ndërsa u mbiçmua edhe në raport me shumicën e valutave të tjera kryesore të partnerëve tregtarë. Në tremujorin e fundit 2021, kursi nominal efektiv i lekut ndaj valutave të tjera u mbiçmua me 4.9% me bazë vjetore.

Kontributi i politikës monetare për një aktivitet më të lartë ekonomik dhe një kurs më të nënçmuar këmbimi, ka gjeneruar presione inflacioniste më të larta. Gjithmonë duke iu referuar studimit të Bankës së Shqipërisë, ndikimi mesatar në inflacion për të njëjtën periudhë ka qenë afërsisht 0.7 pikë përqindje. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar vjetor arriti nivelin prej 2%, nga 1.6% që kishte qenë një vit më parë. Në mungesë të ndikimit të politikës monetare stimuluese, supozohet se inflacioni vjetor do të kishte qenë pranë nivelit 1.3%.

Banka e Shqipërisë e realizon vlerësimin e efektit të politikës monetare në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe treguesit e tjerë makroekonomikë duke kryer disa prova ushtrimore. Në ushtrimin e pare, vlerësohet efekti i politikës monetare në normat e interesit në monedhën vendase dhe, më tej, ndikimi i këtyre të fundit në aktivitetin ekonomik. Në ushtrimin e dytë, përftohet ndikimi që politika monetare ka mbi kursin nominal të këmbimit. Më tej, duke përdorur rezultatet e ndikimit të politikës monetare në aktivitet ekonomik dhe në kursin e këmbimit, vlerësohet ndikimi i politikës monetare në inflacion.