Problemet në zinxhirët e furnizimit, industria automative pak shpresa të përfitojë Shqipëria

Industria automative ka rritur praninë në vendet e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e fundit, sidomos Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Problemet me zinxhirët e furnizimit në Kinë po shtojnë përpjekjet për transferimin e prodhimit me afër, por duket se, ndryshe nga fasoni ku Shqipëria ka përvojë dhe është më konkurruese, transferimi i industrisë automative kërkon më shumë kohë dhe përpjekje qeveritare.

Në Shqipëri janë një sërë kompanish që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries, të cilat kanë rritur ndjeshëm eksportet vitet e fundit.

Industria automotive bën pjesë në grupin e sektorëve që nuk presin një vit edhe aq optimist në 2022. Shkak për këtë është bërë mungesa e lëndëve të para. Pritshmëria është e tillë në nivelet më të larta të prodhuesve të automobilave dhe shpërndahet njëtrajtësisht në të gjithë zinxhirin me të cilin kjo industri është e lidhur.

Pavarësisht fillimit të një viti të mirë në 2021-shin, tremujori i fundit i tij rezultoi me një shok të ri në industrinë e prodhuesve të automobilave. Alarmi ra fillimisht për mungesën e mikroçipave në treg, më pas për një seri lëndësh të para që kishin kërkesë të lartë në treg e disponueshmëri të ulët. Magnezi ishte i fundit që iu shtuar listës së kuqe me mungesa dhe u interpretua si një sinjal për rritjen e mëtejshme të kostove të prodhimit.

Një tjetër problematikë për bizneset në Shqipëri duket se është shfaqur në horizont së fundmi, e cila ka të bëjë me daljen në tregun e lirë të 7358 bizneseve. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se bizneset e lidhur në 20, 10 dhe 6 kv do të duhet të sigurojnë të vetëm energjinë nga janari 2022, duke i nxjerrë ato nga tregu i rregulluar.

Kjo do të thotë që bizneset do të duhet të përballen me çmime stratosferike që në disa muaj të veçantë arrijnë edhe trefishin e vlerës me të cilën ata e blinin energjinë në tregun e lirë.